Altin Hazizaj: Pedofilët po marrin diploma mësuesie dhe abuzojnë seksualisht me nxënësit

Shqipëria

Altin Hazizaj: Pedofilët po marrin diploma mësuesie dhe abuzojnë seksualisht me nxënësit

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:33
Altin Hazizaj

Shkolla për fëmijët është vendi ku duhet të marrin dijen, por në Shqipëri ky institucion vitet e fundit po kthehet në një vend të rrezikshëm për dhunën seksuale ndaj të miturve.

Altin Hazizaj, kreu i CRCA hedh dyshime të forta se shkollat, po shfrytëzohen nga maniakët seksualë që fshihen pas një diplome universitare.

“Ka raste të shumta dhune seksuale që ndodhin nëpër shkolla. Ne jemi duke ndjekur tre raste të mësuesve, që jo vetëm kanë abuzuar seksualisht me nxënësit e tyre minorenë, por madje i‘ua kanë kaluar edhe miqve të tyre, po mësues”,- rrëfen drejtori i qendrës për mbrojtjen e fëmijëve.

Ai vazhdon më tej duke treguar se dhuna psikologjike i shtyn këta fëmijë të heshtin.

“Të gjendur pranë njerëzve të tillë me probleme të mëdha sa arrijnë deri aty abuzojnë me të mitur, duke qenë mësuesit e tyre, nxënësit ndihen të pashpresë. Kjo i shtyn ata të heshtin e të durojnë abuzimin, që pasohet nga abuzime të tjera të rrethit të ngushtë të pedofilit”,- rrëfen Hazizaj.

Ky vit ka pasur një numër të lartë të publikimeve edhe në media të rasteve kur dhuna seksuale është zhvilluar në ambientet e shkollave, apo nga persona të njohur brenda këtyre ambienteve.

Rasti i ndodhur në një shkollë në Babrru ishte po kaq i rëndë. Një 15 vjeçare përdhunohej rregullisht nga roja i shkollës, Abas Doku. Dhuna nuk u ndal vetëm këtu. Roja i shkollës i kishte bërë video intime të miturës, dhe më pas ua kishte shpërndarë atë disa të rinjve. Përmes shantazhit dhe nën kërcënimin se do të shpërndanin videon, tre të rinjtë, njëri nga të cilët vetëm 15 vjeç, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën.

Raste të tjera të dhunës seksuale kanë përfshirë edhe mësuesit. Një ndër të fundit ishte rasti i Fierit, ku mësuesi jo vetëm abuzonte vet seksualisht me një nga nxënëset e tij, por me forcën e autoritetit që i jepte detyra, e detyronte vajzën të kryente akte seksuale edhe me mësues të tjerë të shkollës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat