Pista të reja për vdekjen e biznesmenit/ Mister arsyeja e udhëtimit në Pukë

Shqipëria

Pista të reja për vdekjen e biznesmenit/ Mister arsyeja e udhëtimit në Pukë

Më: 24 janar 2021 Në ora: 16:53
Foto Ilustrim

Prokuroria shqiptare ka zgjeruar pistat hetimore në lidhje me zhdukjen e biznesmenit italian Davide Pecorelli.

Grupi hetimor dyshon se ai është vrarë pasi është grabitur. Biznesmeni ishte në zonën e Gjegjanit për të shpërndarë paratë e fituara në mënyrë të paligjshme nga emigrantë shqiptarë. Dyshohet se këto para, vinin nga trafiku i drogës.

Nisur nga hipoteza, grupi hetimor shqiptar dyshon se Pecorelli mund të jetë vrarë nga persona që ishin në dijeni të lëvizjeve të tij me sasitë e mëdha të parave.

Hetuesit janë skeptikë mbi pistën se, 43 vjeçari po qëndronte në zonën e Gjegjanit për shkak të biznesit të shpërndarjes së produkteve estetike.

Policia shqiptare nuk ka vlerësuar me kujdes vendin e ngjarjes pasi mbetjet njerëzore janë konstatuar vetëm një ditë më pas, kur makina e djegur e Pecorellit ishte sjellë në komisariat.  Për pasojë ky veprim ka sjellë dëmtimin e provave në vendngjarje duke vështirësuar punën hetimore për të faktuar ekzekutimin e mundshëm.

Mediat italiane kanë njoftuar se Prokuroria e Perugias në Itali ka hapur hetime paralele për ngjarjen. Një grup ekspertësh do të vijnë në fillim të javës në Tiranë për të thelluar hetimin.

Davide Pecorelli u zhduk në datë 6 janar në fshatin Gjegjan të Pukës, ndërsa makina  e marrë me qira u gjet e djegur një ditë më pas.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat