Hoxha dënon sulmet ruse ndaj Kievit: Shqipëria solidarizohet me Holandën dhe Austrinë

Shqipëria

Hoxha dënon sulmet ruse ndaj Kievit: Shqipëria solidarizohet me Holandën dhe Austrinë

Nga: A.M. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 20:09
Ferit Hoxha

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me Holandën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit, të cilat shkaktuan dëme edhe në objektet e tyre diplomatike.

Përmes një postimi në platformën X, Hoxha ka dënuar sulmet, duke theksuar se ato nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një serie goditjesh që kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në kryeqytetin ukrainas.

Ai ka bërë të ditur se edhe prania diplomatike e Shqipërisë në Kiev është përballur me rreziqet e sulmeve të tilla.

“Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hoxha.

Kryediplomati shqiptar ka vlerësuar se këto goditje dëshmojnë karakterin e pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vazhdon kundër Ukrainës, si dhe shpërfilljen e së drejtës ndërkombëtare.

Në reagimin e tij, Hoxha ka bërë thirrje për unitet dhe vendosmëri në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe kundër agresionit rus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat