Negociatat shtyhen për në qershor, Kryenegociatori Zef Mazi kundër Ramës për përgjegjësitë: Topi mbetet në portën tonë

Shqipëria

Negociatat shtyhen për në qershor, Kryenegociatori Zef Mazi kundër Ramës për përgjegjësitë: Topi mbetet në portën tonë

Më: 26 janar 2021 Në ora: 09:52
Edi Rama dhe Zef Mazi

Shqipëria duket se ka shuar shpresat që të zhvillojë konferencën e parë ndërqeveritare për procesin e integrimit në BE në pranverë, siç u tha në dhjetor të 2020-ës.

Kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi, raportoi dje në Këshillin Kombëtar të Integrimit, ku tregoi se grupet e punës kanë bërë përpara me kapitujt, por, sipas tij, gjasat për të thirrur konferencën e parë janë në qershor, praktikisht pas zgjedhjeve parlamentare. “Kemi përgatitur dhe kemi paraqitur në komision raportin. Janë mbajtur 9 komitete për financat. Janë bërë vlerësimi nga komisioni. Kemi ecur përpara me përgatitjet për negociatat për 33 kapitujt. Kjo dëshmon se pala shqiptare do të hyjë në këtë proces me përvojë konkrete dhe ekspertizë të gjerë. Sot nuk ka një datë për konferencën ndërqeveritare, por kjo nuk do të thotë se nuk do të japim kontribut. Së shpejti pritet të bëhet një vlerësim tjetër përpara konferencës ndërqeveritare. Synimi është që konferenca e parë ndërqeveritare është të mbahet në qershor të 2021”, tha Zef Mazi.

PËRPLASJA

Në fjalën e tij të mbajtur dje në Këshillin Kombëtar të Integrimit, kryenegociatori Zef Mazi ka hedhur poshtë deklaratat e mëhershme të Kryeministrit Rama gjatë vitit të shkuar, se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe se vendimi për çeljen e negociatave është çështje e brendshme e politikës së vendeve anëtare të BE-së.

Teksa parashtroi arritjet që ka bërë vendi ynë me Reformën në Drejtësi, ai tha se topi vijon të mbetet në palën shqiptare. Ndërkohë, ai i vuri në dukje palës shqiptare se me metodologjinë e re të programit të integrimit të miratuar nga BE vitin e kaluar, nëse nuk ka progres, ka regres. Çka nënkupton që nëse Shqipëria nuk bën siç duhet detyrat e saj, vendi nuk qëndron në pozitat ku është në procesin e integrimit, por shënon hapa negativë.

“Presidenca portugeze e ka në prioritet brenda këtij simetri, kjo kohë kërkon angazhim të plotë. Ne jemi të vetëdijshëm se negociata do të zhvillohen me metodologjinë e re, do jetë më rigoroze. Sipas metodologjisë së re, nëse nuk do të ketë progres, do të ketë regres. Të vazhdohet sjellja europiane me politikën e jashtme, objektivi ynë është që të bëjmë progres pa u ndalur, kjo nënkupton konsensus dhe komunikim në politikën e brendshme. Në BE nuk integrohen partitë politike, unë besoj që duhet të flasim në një zë, me vepra pro integrimit në BE. Rezultatet dhe rritjet tona janë domethënëse, topi mbetet në portën tonë për sa kohë nuk është më në fushën e BE-së. Duhet të vijojmë përpjekjet në të gjitha forcat që të zbatojmë vendimin e tij të marsit 2020 me miratimin e kornizës negociuese dhe miratimin e datës së konferencës së parë qeveritare. Unë shpresoj se në paraqitjen e herës tjetër, do të kem mundësinë që të jap lajme të mira”, tha Mazi.

Ndërkohë, në një deklaratë të vitit të kaluar, Kryeministri Rama është shprehur se raporti i KE-së konfirmon se Shqipëria ka bërë detyrat e saj dhe se tani është në dorë të BE-së.

“Komisioni i Ri Europian, jo vetëm rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por rikonfirmon duke e përforcuar, rekomandimin e Komisionit paraardhës, vitin e shkuar! Kjo do të thotë se Shqipëria i kishte kryer dhe ka vazhduar t’i kryejë me sukses detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave. A i hap apo nuk i hap Këshilli Europian negociatat paskëtaj, kjo është POLITIKË dhe u takon vendeve anëtare të vendosin, jo Shqipërisë. A e gjejnë apo nuk e gjejnë vendet anëtare konsensusin e nevojshëm për t’i dhënë Shqipërisë ATË QË I TAKON, kjo varet nga sa arrijnë ato të harmonizojnë interesat e përveçme me interesin e përgjithshëm. Hapen, nuk hapen negociatat në mars, në qershor, në tetor apo në dhjetor të këtij a të vitit tjetër apo të tjetrit pas tjetrit, kjo nuk është në dorën tonë, por në duart e 27 vendeve anëtare të BE-së”, është shprehur Kryeministri Rama më dy mars të vitit të kaluar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat