Riaplikimi për kartë ID, Drejtori i Gjendjes Civile: Kemi afishuar emrat e personave që u kanë skaduar!

Shqipëria

Riaplikimi për kartë ID, Drejtori i Gjendjes Civile: Kemi afishuar emrat e personave që u kanë skaduar!

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 18:12
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledi Doracaj

Qytetarët të cilëve u kanë skaduar mjetet e identifikimit dhe nuk kanë mundësi ta kontrollojnë në portalin E-Albania, tashmë mund të paraqiten në zyrat e Gjendjes Civile për t'i konfirmuar. Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledi Doracaj në një intervistë për Report Tv.

Ai sqaron se prej ditës së dielë, në këto zyra janë afishuar disa lista me emrat e qytetarëve. Ata të cilët e kanë emrin e qarkuar, u kanë skaduar mjetet e identifikimit dhe nuk mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme ndërsa emrat e paqarkuara i kanë dokumentet në rregull.

"Është një numër i ulët i qytetarëve të ardhur për të aplikuar për karta identiteti. Ndaj dhe i bëjmë thirrje qytetarëve që të aplikojnë. Fluksi është ende i ulët dhe nuk kemi rradhë në sportele.  Ne po dalim në çdo bashki duke bërë thirrje. Ne sot kemi ndërmarrë një tjetër iniciativë që do i vijë në ndihmë shtetasve që të kuptojnë nëse u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe nuk mund të ketë akses në portalin E-Albania. Të dielën në darkë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka gjeneruar ekstraktin e 5-të ku të gjithë shtetasit u ka skaudar letërnjoftimi elektronik janë të markuar. Çdokush që nuk ka një smartphone të futet në E-Albania, mund të paraqitet pranë zyrave të Gjendjes Civile apo pranë ambienteve që Kodi zgjedhor përcakton dhe mund të gjejë emrin e vetë. Nëse ai e sheh emrin e markuar në dokumentet e afishuara pranë këtyre ambienteve, atëherë u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe nuk mund të votojnë. Nëse nuk e kanë të markuar atëherë e kanë në rregull" - tha Doracaj.

Lidhur me akuzat e PD-së për saktësimin e adresave të shtetasve apo me ndryshimin e vendbanimit, Doracaj deklaroi se KQZ prej disa muajsh nuk ka gjetur asnjë problem apo ndonjë pasaktësi.

"Vendbanimi ndryshon vetëm me kërkesën e vetë qytetarit. Nëse ju kujtohet, PD para pak muajsh ngriti një akuzë lidhur me saktësimin e adresës së shtetasve apo ndryshimin e vendbanimit. Deri më sot, edhe auditi i KQZ-së nuk kanë gjetur një rast të një shtetasi që i është ndryshuar vendbanimi dhe vendi i votimit. Sipas ligjit, ata duhet ta vetëdeklarojnë ndryshimin e vendbanimeve" - tha Doracaj.

Doracaj thotë se pavarësisht se zyrat e gjendjes civile punojnë edhe gjatë të shtunave për riaplikimin për mjete identifikimi, rradhët e qytetarëve janë të pakta duke e neglizhuar thirrjen e bërë prej tyre.

"Është një tur që ka filluar. Vërejmë një neglizhencë të qytetarëve ndaj thirrjes së shtetit për të aplikuar për karta. Tashmë prej më shumë se një muaji ne punojmë edhe gjatë të shtunave për t'i ofruar shërbimin qytetarëve. Kemi orientuar shërbimin kombëtar, që edhe nëse ka radhë pas orës zyrtar 16:00 të përfundojnë të gjithë procesin ata që presin. Nuk ka pasur fluks të them të drejtën. Deri më tani kemi një bashkëpunim të mirë me bashkitë. Ju bëjmë thirrje çdo qytetar që të aplikojë. Dokumenti i vjetër identifikimi si dhe kuponi i ri mjafton për të bërë aplikimin. Për riaplikim mund ta bësh në çdo zyrë, nuk ka rëndësi se ku jeni banuese" - tha Doracaj.

Më herët gjatë ditës së sotme, Doracaj, ishte në Fier ku ka parë nga afër situatën e aplikimeve në Kompaninë ‘ALEAT’, ku nga aty ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për të marrë kartën e identitetit. Për rinovimin e kartave të identitetit nga qytetarët, kanë bërë thirrje edhe KQZ, klasa politike si dhe ndërkombëtarët në mënyrë që të kenë mundësinë e votimin në zgjedhjet e 25 prillit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat