Basha pas takimit me ministrin hungarez: Pas 25 prillit, procesi i integrimit do të jetë sukses!

Shqipëria

Basha pas takimit me ministrin hungarez: Pas 25 prillit, procesi i integrimit do të jetë sukses!

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 15:01
Lulzim Basha

Kreu i PD Lulzim Basha ka folur pas takimit me ministrin e Jashtëm të Hungarisë Péter Szijjártó. Gjatë deklaratës së tij Basha tregoi disa detaje nga biseda me zyrtarin e lartë, duke shtuar se pas 25 prillit do të nisë një epokë e re për vendin tonë sa i pëket procesit të integrimit. Basha deklaroi se pas 25 prillit, procesi i integrimit Europian do të jetë suksesi kryesor.

"shpreha ministrit të jashtëm Szijarto mirënjohjen e thellë timen dhe të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, s’ka bërë dot asnjë hap përpara për shkak sepse kryeministri në ikje Edi Rama ka vënë interesat e tij personale dhe politike mbi interesat e shqiptarëve dhe ka bllokuar integrimin europian të vendit.

E garantova se pas 25 Prillit do të kemi një erë të re të bashkëpunimit me Hungarinë dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke nisur me plotësimin e të gjitha kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Ishte pikërisht dështime i këtyre 8 viteve të Edi Ramës që nga 3 u bën 5, 9 dhe pastaj 15 kushte dhe do të jetë ndryshimi i 25 Prillit që do të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë.

Procesi i anëtarësimit duke filluar me hapjen e negociatave do të ndihmojë po kështu në përmirësimin e klimës së biznesit dhe besimit të investitorëve të huaj. Kjo do të thotë më shumë garanci për investimet e huaja, më shumë garanci për punësim dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

Këto janë çështjet që ndava me ministrin e jashtëm hungarez dhe e garantova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të bëjnë gjithçka që pas 25 prillit edhe procesi i Integrimit Europian do të jetë një sukses siç arritëm sukseset e mëparshme për shqiptarët, duke futur vendin në NATO, duke hequr vizat për qytetarët shqiptarë, duke nisur me sukses procesin e anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, na takon që së bashku me gjithë shqiptarët pas 25 prillit të hapim negociatat, të përmirësojmë klimën e biznesit, të sjellim investimet europiane, natyrisht është hungareze në Shqipëri në funksion të punësimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat