”E pyeta për prishjen e ish-kompleksit “Dajti”/ Avokati tregon prapaskenat e takimit me Veliajn: Klloun!

Shqipëria

”E pyeta për prishjen e ish-kompleksit “Dajti”/ Avokati tregon prapaskenat e takimit me Veliajn: Klloun!

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 15:38
Erion Veliaj

Avokati Besart Logu ka treguar detaje nga një takim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në një prej takimeve të tij në qytet. Në një shkrim në Facebook, avokati ka treguar me detaje sesi kishte marrë vesh rastësisht që Veliaj do të zhvillonte një takim në zonë, dhe sesi e kishte pritur derisa kishte mbaruar fjalën para simpatizantëve socialistë.

Logu shkruan se i kishte drejtuar vetëm dy pyetje numrit një të Bashkisë, lidhur me parkimin e automjeteve në shkollën “Gustav Mayer” dhe arsyen për prishjen e ish-kompleksit “Dajti”. Përgjigjia, sipas avokatit, nuk iu dha kurrë. 

POSTIMI I PLOTË:

Takimi me Veliajn!

Sot, si çdo ditë tjetër, shkova të marr një kafe në gotë plastike për ta pirë avash avash në zyrë. Përgjithësisht e marr te Bar “Joena”, e kam më afër por dhe kafja që ka më shijon. Sapo futem për tu drejtuar te banaku, kamarieri më ndalon dhe më njofton se ka prenotim, ka Erion Veliaj takim me banorët e Njësisë 7. Super, thashë me vete. Jam banor i njësisë dhe do i bëj dy pyetje, aspak politike por që prekin drejtpërdrejtë përditshmërinë si qytetar i kësaj zone. Nuk u futa brenda por e prita te pjesa e jashtme e lokalit, ku pihet dhe cigare. Takimi zgjati rreth gjysëm ore, me ovacione dhe jargavitje pafund nga ana e pjesëmarrësve.

Ama, zero pyetje dhe zero diskutim. Foli me këmbë e me duar, dëgjoja gjatë gjithë kohës etiketime dhe ndasi të tipit “ne” dhe “ata”. Mbaroi çfarë kishte programuar për të thënë dhe u çua të dalë. Aty i zura “pritë”, doja ti përcillja shqetësimet e mija si qytetar. Sapo më afrohet i drejtohem: “z.Veliaj, ju lutem kam dy çështje shumë shkurt për të diskutuar:

1. Jam Kryetari i Këshillit të Prindërve të Shkollës “Gustav Mayer”. Ju kam nisur një kërkesë që në shtator të vitit 2020 ku ju kam kërkuar të rregulloni parkimin e automjeteve të transportit të fëmijëve por nga ana juaj nuk ka patur asnjë reagim. Bëhet fjalë për një komunitet me 1100 nxënës, një ndër dy shkollat më të mëdha në Shqipëri që nuk ka vëmendjen e bashkisë.

2. Pse e prishët ish kompleksin “Dajti”?! Kisha djalin që stërvitej aty. Rreth 200 fëmijë stërviteshin gjatë javës në atë kompleks. Ishte kompleks sportiv dhe po e ktheni në kompleks pallatesh…” Më dëgjoi dhe tha: “të më kishe thënë vetëm njërën se jam shumë i ngarkuar dhe nuk mbaj mend asgjë…”

Klloun!

Në kuptimin e parë dhe të plotë të fjalës!

Të jem i sinqertë, nuk prisja asgjë. E bëra se doja ti çirrja maskën dhe të kuptonte se në Njësinë 7 ka njerëz që janë prekur nga politikat e tij degraduese dhe se kanë guximin t’ia thonë në sy. Ai mund ta mbajë veten për Superman por nuk mundet që mos të ketë me vete staf që të mbajë shënim shqetësimet e banorëve. Kjo tregon se atij i intereson propaganda, ana formale dhe jo ajo substanciale. Problematikat e banorëve nuk ka si ti zgjidhë për sa kohë është vetë shkaktari i tyre. Atij i mjafton salla të jetë e mbushur me ato parazitë që ka punësuar dhe i mban me rroga mujore që ti nxjerrë në darkë videot e montume në mediat pranë pushtetit. Ky ishte takimi me Erion Veliajn, 100% brënda pritshmërive!

Prej disa kohësh në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Veliaj në cilësinë e një prej drejtuesëve politikë të Tiranës ka intensifikuar takimet me qytetarët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat