Sektori i ndërtimit i futur në flluskë, flet eksperti: Tirana e papërballueshme për njerëzit e ndershëm

Shqipëria

Sektori i ndërtimit i futur në flluskë, flet eksperti: Tirana e papërballueshme për njerëzit e ndershëm

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 15:59
Pano Soko

Ndërtimi ishte i vetmi sektor, i cili jo vetëm nuk u prek nga kriza e pandemisë së koronavirusit por njohu rritje të fortë.

Për ekspertin Pano Soko një shqetësim mbetet burimi i financimit të këtij sektori.

“Dalim aty ku kemi dalë gjithmonë, te paraja e pisët, e cila duket se ka gjetur shtratin e saj prej puple.”

Sipas tij qarkullimi i parasë së pistë është një kambanë alarmi që bie prej kohësh.

“E gjithë industria e ndërtimit vazhdoi të funksionojë në mënyrë perfekte. Nuk pati fare vrima të krijuara aty dhe nuk pati fare mungesa financimi.”

Referuar të dhënave të INSTAT kryeqyteti ka miratuar më shumë se 1 milionë metër katrorë sipërfaqe për ndërtesa të reja por ndërkohë që ato shtohen çmimi vijon të rritet dhe të jetë i papërballueshëm për qytetarët.

“Tirana po kthehet e papërballueshme për njerëzit e ndershëm dhe normalisht kjo për hir të njerëzve të pandershëm. E papërballueshme për paratë e punës, sepse këtu janë futur paratë e pista.”

Soko thekson se sektori i ndërtimit është futur aktualisht në një flluskë e cila rrezikon të plasë duke u shoqëruar me tre rreziqe.

“E para deformon tregun, duke bërë që çmimet e shtëpive që sot janë artificialisht të larta, do bien dhe do bien në mënyrë drastike. Kjo do na afektojë bankat, se këto shtëpi kanë marrë kredi nga bankat. Kredia është marrë në terma të tillë që shtëpia është vlerësuar me 100 mijë euro. Por kur kjo shtëpi të shkojë 25 mijë euro nga 100 mijë euro, banka del zbuluar.”

Shqipëria konsiderohet vend problematik për sa i përket pastrimit të parave sidomos në sektorin e ndërtimit. Raporti i Moneyval për vitin 2019 e riktheu Shqipërinë në listën gri të vendeve me nivel të lartë të riskut.

Mungesa e mekanizmave parandalues, efektivitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional renditen ndër arsyet kryesore të përkeqësimit të situatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat