Koronavirusi nuk kursen as moshat e reja/ Pavarësisht shtimit të rasteve, më pak se 2% e pacientëve janë duke marrë mjekim në spitalet COVID

Shqipëria

Koronavirusi nuk kursen as moshat e reja/ Pavarësisht shtimit të rasteve, më pak se 2% e pacientëve janë duke marrë mjekim në spitalet COVID

Më: 4 mars 2021 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Shifrat e ulëta të infeksionit apo rënia e shtrimeve spitalore nuk kanë ndryshuar situatën, ku prej ditësh regjistrohet një numër i lartë fatalitetesh si pasojë e COVID-19.

Vetëm në 24 orët e kaluara kanë humbur betejën me sëmundjen 21 persona të grupmoshave nga 42 deri në 94 vjeç. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 21 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 6 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Berati, 2 qytetarë nga Kuçova, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kukësi, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Puka, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Kolonja, 1 qytetar nga Kurbini, të moshave 42-94 vjeç”, ka bërë me dije Ministria. Prej fillimit të pandemisë janë 1856 persona që kanë ndërruar jetë, 67 për qind prej të cilëve burra dhe 33 për qind gra. Por, kjo është vetëm ajo që autoritet kanë raportuar. Të dhënat demografike kanë nxjerrë në dritë faktin që numri i vdekjeve në vitin pandemik është 5 herë i lartë se shifra e raportuar. Edhe të dhënat e siguruara nga regjistri i Gjendjes Civile për muajin shkurt tregojnë se humbjet e jetës janë dyfishuar në krahasim me mesataren e 6 viteve të fundit. Por nga 1541 vdekje shtesë vetëm 416 kanë si shkak të njohur koronavirusin, pjesa tjetër mbeten në hije.

SITUATA NË SPITAL

Por cila është situata në spitalet COVID? Numri i pacientëve të shtruar ka ardhur në rënie. Aktualisht sipas Ministrisë në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 606 pacientë, 42 në terapi intensive, nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar. Kjo do të thotë se nga më shumë se 35 700 të infektuar aktivë që janë në të gjithë vendin vetëm 606 janë duke marrë trajtim mjekësor në spital, pra më pak se 2 për qind e të infektuarve. Një shifër kjo tejet e ulët, që dëshmon që pjesa më e madhe preferojnë të ndiqen në kushte shtëpie nga mjeku i familjes dhe një pjesë tjetër të marrin shërbim në institucionet private.

RASTET E REJA

Lidhur me rastet e reja, gjatë kësaj jave është vënë re një ulje e kurbës së infeksionit. Por, kjo ka ardhur për shkak të kufizimit të testeve, pasi shkalla e infeksionit vijon të jetë e lartë. Konkretisht nga 3149 testime të kryera kanë rezultuar të infektuar 851 qytetarë. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 377 raste në Tiranë, 48 në Pogradec, nga 30 raste në Elbasan, Kavajë, 29 në Durrës, 28 në Vlorë, 27 në Shkodër, 26 në Fier, 25 në Berat, 23 në Lezhë, 21 në Sarandë, 19 në Krujë, 18 në Peqin, 17 në Korçë, 14 në Kamzë, nga 12 raste në Lushnje, Mirditë, 9 në Gjirokastër, 7 në Kuçovë, 6 në Kukës, nga 5 raste në Kurbin, Has, Librazhd, nga 4 raste në Pukë, Tropojë, Tepelenë, Vorë, nga 3 raste në Devoll, Përmet, Bulqizë, Kolonjë, Gramsh, nga 2 raste Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Fushë Arrëz, Belsh, Dibër, Shijak, Maliq, Poliçan, nga 1 rast në Rrogozhinë, Mallakastër, Selenicë, Malësi e Madhe, Përrenjas, Skrapar, Patos, Cërrik, Dropull, Këlcyrë, Libohovë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 903 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 72,076 që nga fillimi i epidemisë”. Por pavarësisht kësaj situate Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë të pandryshuar planin e masave. Në fillim të kësaj jave ishte paralajmëruar rishikimi i masave, por deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim për ecurinë e mëtejshme të masave pra nëse do të ketë ashpërsim apo do të qëndrohet në stanjacion.

COVID-19 nuk kursen moshat e reja, ndërron jetë një 27-vjeçare

COVID-19 i ka marrë jetën edhe 27-vjeçares nga Berati Ariola Sakollari. E infektuar para 3 javësh, mësohet se e reja ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Beratit, ku ka qëndruar disa ditë, por pa dhënë shenja përmirësimi. Në këto kushte, 27-vjeçarja është dërguar në spitalin COVID “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ajo nuk ka mundur ta fitojë betejën me sëmundjen duke ndërruar jetë pasditen e së martës. Mësohet se Ariola nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Ndërkohë, prej fillimit të pandemisë në vendin tonë kanë humbur betejën me sëmundjen 1856 persona. Sipas të dhënave të Ministrisë, 1 për qind e fataliteteve janë persona në moshë nga 20 deri 29 vjeç. Thënë ndryshe, janë 18 persona nën 30 vjeç që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat