Zbardhet skema, si do të filtrohen kandidatët nga KQZ. Prioritet për t’u verifikuar do kenë emrat që...

Shqipëria

Zbardhet skema, si do të filtrohen kandidatët nga KQZ. Prioritet për t’u verifikuar do kenë emrat që...

Më: 4 mars 2021 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Mesi i natës së ditës së hënë, më 8 mars, është afati i fundit që partitë politike dhe koalicionet të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën shumemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.

Gazeta “Panorama” ka mësuar përmes burimeve se KQZ do të nisë verifikimin përmes një skeme prioritare të verifikimit të kandidatëve. Dokumenti bazë që do të merret parasysh nga KQZ është formulari i dekriminalizimit, që do të depozitohet ditën e hënë, më 8 mars, në të njëjtën kohë që do të protokollohet në KQZ edhe depozitimi i listës finale. Mësohet se filtrimi ndahet në disa shkallë.

Fillimisht KQZ-ja do të lexojë të dhënat që shkruhen në formularin e dekriminalizimit që ka plotësuar çdo kandidat. Fillimisht do të kalohen në sitë formularët e dekriminalizimit. Kandidatët që do të kenë shenjë në këtë dokument do t’i nënshtrohen një verifikimi më të thelluar.

Nëse ka dyshime dhe indicie për ndonjë prej kandidatëve, si për shembull, ndonjë ndalim nga Policia apo gjobë, KQZ-ja i kërkon informacion më të hollësishëm Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Drejtorisë së Burgjeve për gjendjen gjyqësore të kandidatit. Nëse vërehet ndonjë parregullsi që pamundëson kandidimin e kandidatit në fjalë, atëherë KQZ-ja e përjashton nga gara.

Ndërkohë kategoria e dytë që do t’i nënshtrohet verifikimit më të thelluar mësohet se do të jenë ata të cilët janë denoncuar publikisht. Partitë duhet të marrin parasysh për të siguruar kandidatë zëvendësues, pasi jo të gjitha rezultatet e verifikimeve mund të dalin para zgjedhjeve të 25 prillit. P

ër raste kur KQZ-së do t’i duhet t’i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme për një informacion më të thelluar ku të duhet edhe bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, përgjigjja mund të zgjasë dhe rezultati të dalë pas zgjedhjeve.

Nëse kandidati i verifikuar është subjekt i dekriminalizimit, atëherë atij i hiqet mandati dhe zëvendësohet nga kandidati tjetër i mëposhtëm në listën e X partie apo koalicioni. Sakaq sot pritet që të ketë edhe një apelim nga ana e komisionerit për partitë për pastërtinë e kandidatëve që do t’u ofrojnë qytetarëve për t’i votuar.

PRESIONI I NDËRKOMBËTARËVE

Me afrimin e afatit final që partitë politike të depozitojnë në KQZ emrat për kandidatë për deputetë, ambasadorët kryesorë në vendin tonë kanë intensifikuar thirrjen ndaj drejtuesve të partive në Shqipëri që të tregohen të kujdesshëm në mënyrë që të vendosin në lista kandidatë me integritet.

Një ditë pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha, zyrtarizoi koalicionin “PD-Aleanca për Ndryshim”, kryediplomatja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, zhvilloi një takim jashtë selisë së PD-së me kryedemokratin Lulzim Basha.

Takimin që e përshkroi si të shkëlqyer, ambasadorja Kim e shfrytëzoi për t’u njohur nga lideri i opozitës në lidhje me programin ekonomik të PD-së, për të cilin shprehet se ishte e lumtur.

Por nga ana e saj, kryediplomatja i ka nënvizuar kreut të opozitës pritshmëritë që ka SHBA-ja nga liderët e partive për të vendosur njerëz të pastër në lista.

“Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. E lumtur të dëgjoja programin zgjedhor të PD-së dhe partnerëve. Unë nënvizova pritshmëritë e SHBA-së për kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne gjithmonë do të jemi të përkushtuar në marrëdhënie të forta mes SHBA-së dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 prill”, shkroi ambasadorja në “Twitter”.

Pas ambasadores Kim, edhe kryediplomati i Britanisë në vendin tonë, Duncan Norman, bëri të njëjtën thirrje për partitë politike. Ai kërkoi që liderët të respektojnë qytetarët shqiptarë, duke u ofruar atyre njerëz me integritet. Mesazhi i tij vjen pas mesazheve të përsëritura nga ambasadorja Yuri Kim për politikën shqiptare dhe nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

FLETA E VOTIMIT

Më datë 9 mars, një ditë pasi të jenë depozituar listat shumemërore të partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të krijojë një panoramë më të qartë se si do të jetë fleta e votimit. Në KQZ ka një shumicë që mbështet versionin e fletës së votimit me emra, por nëse numri i subjekteve që do të jenë në fletën e votimit është më shumë se 10, atëherë nuk përjashtohet që kandidatët të identifikohen me numra dhe jo me emrat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat