30 pëllumba drejt qiellit, familjarët kujtojnë të riun që humbi jetën duke u hedhur nga Spitali Covid

Shqipëria

30 pëllumba drejt qiellit, familjarët kujtojnë të riun që humbi jetën duke u hedhur nga Spitali Covid

Më: 5 mars 2021 Në ora: 20:08
Foto ilustruese

Xhino Koça, djali i ri durrsak do të festonte ditën e sotme, 30 vjetorin e lindjes. Familja e tij, ka kujtuar të birin që i dha fund jetës në spitalin COVID-1, me një ceremoni prekëse, duke lëshuar 30 pëllumba e tullumbace të bardha drejt qiellit.

“Data 5 Mars është një nga datat e shënuara për familjen tonë. Çdo prag 5 marsi, ne bëheshim gati të festonim ditëlindjen e të voglit të shtëpisë, Xhinos. Këtë vit është ditëlindja e 30-të e djalit tonë… 30 pëllumba dhe 30 tullumbace të bardhë do të lëshohen drejt qiellit duke u kthyer në simbol të përqafimit tonë për Xhinon”, është shprehur nëna e Xhinos, Lira Koça.

Ceremonia u zhvillua buzë detit. Në këtë përvjetor të Xhinos ishin të mirëpritur familjarë, të afërm, miq e të njohur, të gjithë bashkë në këtë ditëlindje ndryshe. I riu Xhino Koça, i dha fund jetës më 13 gusht të vitit 2020, duke u hedhur nga dritarja e katit të tretë në spitalin ku po kurohej, pasi ishte i infektuar me koronavirus.

Ai ishte viktima e parë e një serie vetëflijimesh, që ndodhën në këtë spital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat