Rama largoi gazetaren nga prononcimi se nuk mbante maskë/ Presidenti Meta: Përdorja e forcës mbi një reportere, akt i papranueshëm!

Shqipëria

Rama largoi gazetaren nga prononcimi se nuk mbante maskë/ Presidenti Meta: Përdorja e forcës mbi një reportere, akt i papranueshëm!

Më: 13 mars 2021 Në ora: 18:25
Ilir Meta

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka larguar nga prononcimi në terren gazetaren e Fax News, Edona Haklaj, pasi kjo e fundit nuk mbante maskën.

Në lidhje me këtë skenë të Kryeministrit ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka dënuar me ashpërsi këtë gjest të Ramës.

Kreu i Shtetit ka theksuar se përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës është e papranueshme, aq më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.

Meta i bëri thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.

Teksa riktheu vëmendjen edhe tek sulmi ndaj kandidates për depuutete të PS-së, Grida Duma, Presidenti tha se kjo sjellje është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant nga ana e Ramës.

Postimi i plotë:

Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax Neës”, znj.Edona Haklaj.

Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.

Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.

Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin “Fax Neës” dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik.

Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat