Policia, dhunë ndaj pronarit të medias: Me urdhra politikë po më prishin investimin privat

Shqipëria

Policia, dhunë ndaj pronarit të medias: Me urdhra politikë po më prishin investimin privat

Më: 27 mars 2021 Në ora: 19:48
Fatos Mihali

Fatos Mihali, pronari i Televizionit AVN në Fier, është shoqëruar forcërisht në komisariatin e policisë, mëngjesin e të shtunës.

Shkak është bërë rezistenca që ka bërë ndaj punonjësve të bashkisë, të cilët duan të shfytëzojnë një investim privat të Mihalit.

Ai thotë se me fondet e tij ka hapur një rrjet kanalizimesh të ujërave të zeza, ndërsa tani Bashkia synon që ta shfrytëzojë atë për mbetjet e gjithë lagjes.

“Privatisht me këtë godinën këtu dhe këtë godinën këtej kemi ndërtuar këtë kanal për të mos u futur në kanalet e ujërave të shtetit se ishin të konsumuara.”

Punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Fierit, mbërritën në orën 08:00 të mëngjesit pranë pallatit ku banon Mihali.

Në këtë ndërtesë gjenden dhe studiot e televizionit AVN. Në lidhje me këtë ndërhyrje të bashkiakëve, Mihali nuk përjashton që aksioni të jetë realizuar me urdhra politikë në prag të zgjedhjeve parlamentare.

“E kanë më të lehtë të shtypin me këmbë privatin, të bëjnë si të duan.Të thërrasin në mes të natës bashkinë dhe policinë të më arrestojnë mua siç jam.Këta boll që marrin një urdhër politik.”

Me profesion inxhinier, Fatos Mihali shpjegon se plani i bashkisë jo vetëm që cënon investimin e bërë nga vetë banorët por nuk mund të jetë funksional, pasi rrjeti i kanalizimeve është projektuar për një sasi të caktuar banorësh dhe nuk përballon mbingarkesë.

“Nuk mban se është tubacion i vogël, këta duan të fusin gjithë lagjen.”

Mihali ka bërë të ditur se do t’i drejtohet prokurorisë së Fierit për këtë ngjarje, të cilën ai e konsideron skandaloze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat