Kryemadhi nga Korça: Jo ‘Rama ik’, por Shqipëria e para, duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të ftojmë njerëzit për të votuar

Shqipëria

Kryemadhi nga Korça: Jo ‘Rama ik’, por Shqipëria e para, duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të ftojmë njerëzit për të votuar

Më: 10 prill 2021 Në ora: 19:31
Monika Kryemadhi

Korça ka qenë destinacioni i radhës në fushatën elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi, gjatë bisedimit me banorët, tha se gjëja më e shtrenjtë është flamuri kombëtar.

Ajo tha se ka ardhur koha t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të shkojmë derë më derë, e të nxisim njerëzit të dalin më 25 prill për të votuar.

“Mirëmbrëma të rinj, të reja, burra, gra të Korçës! Këtë entuziazëm të mrekullueshëm, këtë energji pozitive, këtë çiltërsi dhe këtë dashuri, vetëm Korça mund ta dhuronte në këto ditë të bukura, të cilat po trokasin në dyert e Shqipërisë. Sot fjalët e mia janë shumë të vakëta, nuk kanë asnjë lloj rëndësie përpara kësaj energjie, përpara kësaj bukurie të mrekullueshme, përpara fjalëve të Ismeraldës, përpara fjalëve të pedagogëve, përpara fjalëve të Leonsit, të Thanasit, të Brunës, që njihemi prej shumë kohësh. Përpara fjalëve të Gentit, përpara fjalëve të Petrikës, doktor Enginit. Përpara fjalëve të profesor Avniut, e kush më shumë se mësuese Marjeta, e cila me mikpritjen dhe dashurinë e saj mëson fëmijët në klasat e shkollave tona.

Ju dëgjoja tek thonit pak më përpara RAMA IK. Do ju lutesha të thërrisnit Shqipëri, sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Shqipëria është vendi ynë. Shqipëria është gjëja më e shtrenjtë që ka secili nga ne. Sepse fjala më e shtrenjtë për ne nuk është Rama ik, fjala më e shtrenjtë për ne është Shqipëria. Gjëja më e shtrenjtë për ne është flamuri ynë kombëtar. Këto dy gjëra, të cilat Rilindja do që t’i shkatërrojë, ne nuk duhet t’i lejojmë kurrë që t’i marrë nëpërkëmbë një i çmendur që po i çmend të tërë.

E pra të dashur miq, motra dhe vëllezër, të rinj dhe të reja, sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për t’i dhënë dorën njëri tjetrit, për të trokitur derë më derë, për të vajtur shtëpi më shtëpi, për t’iu thënë njerëzve që të marrin kartat e identitetit në dorë dhe më 25 prill të drejtohen në kutitë e votimit dhe të votojnë. Të votojnë ndryshimin, të votojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre, të votojnë numrin 6, të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim”, tha Kryemadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat