Krerët politikë në Shqipëri u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë

Shqipëria

Krerët politikë në Shqipëri u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë

Më: 25 prill 2021 Në ora: 08:54
Foto ilustrim

Në Shqipëri, të dielën qytetarët po votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Krerët shtetërorë dhe politikë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se vendi “mbrohet me votë dhe sjellje të qytetëruar evropiane”.

“Barazinë para ligjit e garanton barazia e votës. Çdo qytetar të votojë i lirë dhe me dinjitet për alternativën dhe kandidatin që beson. I ftoj të gjithë që tek alternative të zgjedhin kandidatët më me integritet. Sot votimi është një akt patriotik.”, u shpreh Meta.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka votuar dhe u ka bërë thirrje krerëve të partive politike që “t’i nënshtrohen verdiktit të sovranit”.

“Sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit të sovranit. Sot fitojnë vetëm qytetarët. Kushdo që do të mundohet për të bërë pis do të dështojë. Nga nesër do të ketë një fitues. Nga nesër fituesi duhet të dijë të të administrojë fitoren”, tha Ruçi.

Kryeministri Edi Rama,përmes një postim në rrjetet sociale i ftoi qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, shkruan Rama.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pas hedhjes së votës, bëri thirrje që qytetarët të votojnë.

“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do ti japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës”, tha Kryemadhi.

Në zgjedhjet e 25 prillit, të drejtë vote kanë 3.6 milionë qytetarë. Zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për Kuvendin që nga viti 1991, me 46.76% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat