Mentor Kikia: Nga aty ku partitë përdornin njerëz për fushatë, tani përdorin mjete financiare

Shqipëria

Mentor Kikia: Nga aty ku partitë përdornin njerëz për fushatë, tani përdorin mjete financiare

Më: 4 maj 2021 Në ora: 22:58
Mentor Kikia

Kryeredaktori i lajmeve në Euronews Albania, Mentor Kikia, tha në studion e “Ilva Now” për procesin zgjedhor se partitë në Shqipëri kanë evoluar në përdorimin e mjeteve për të bërë fushatë. Sipas z. Kikia, ajo çfarë ka evoluar është përdorimi i aseteve publike, ku nga aty ku përdoreshin turma njerëzish për fushatë, tashmë përdoren mjete financiare.

“Po të shikosh, të paktën në pamje të jashtme kemi bërë një evoluim goxha të madh. Ajo që unë mendoj se ka evoluar është edhe mënyra e përdorimit të aseteve publike. Sot nuk bëhet fjalë për përdorimin e njeriut por të mjeteve financiare”, u shpreh z. Kikia.

Mentor Kikia përmendi kohën kur përgatiteshin lista që përcaktonin vendin që do të kishte secili punonjës i administratës nëpër mitingje. Mirëpo sipas tij, partitë kanë bërë progres duke mos e përdorur më atë metodë.

“Ishin në një kohë kur partitë  i ngarkonin mësuesit në autobuza dhe i dërgonin në mitingje me lista, me urdhër, i shndërronin në turma për të mbushur mitingjet elektorale. Kjo ishte një dramë. Kemi shkuar aty ku të paktën punonjësit e administratës nuk listohen për të qenë në filan vend në mitingje”, tha Mentor Kikia.

Tashmë përdoren mjetet financiare për të bërë fushatë, sipas z. Kikia dhe vështirësia është në të ndarit e përdorimit të mjeteve financiare me keqpërdorimin e mjeteve financiare.

“Është kamofluar përdorimi i publikes në fushatë në mënyrë më të padukshme por edhe më ligjore”, shtoi z. Kikia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat