Ish.zv/drejtori i Krimeve flet për vrasjen në Tiranë: Armën s’e kanë gjetur në rrugë, shumicën e atyre në tavolinë i njoh

Shqipëria

Ish.zv/drejtori i Krimeve flet për vrasjen në Tiranë: Armën s’e kanë gjetur në rrugë, shumicën e atyre në tavolinë i njoh

Më: 11 maj 2021 Në ora: 17:04
Gëzim Ngjeqi

Ish zëvendësdrejtori i Krimeve të Rënda në Tiranë, Gëzim Ngjeqi, foli në News24, për vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, mbrëmjen e kaluar, në Tiranë.

Ngjeqi tha se i njihte të afërmit e viktimës dhe shumicën e atyre, që ndodheshin në tavolinë në momentin e krimit, duke thënë se një pjesë janë nga Hasi.

Mes të tjerash, ai kritikoi Policinë e Shtetit, teksa tha se merret më shumë me arrestimin e atyre që vjedhin ujin apo energjinë, dhe jo me parandalimin e ngjarjeve kriminale, që sipas tij, janë dhe misioni i vërtetë i policisë.

“Njoh të afërmit e viktimës dhe rrethin e tij shoqëror, madje edhe shumicën e atyre që kanë qenë në atë darkë. Shumica e tyre janë nga Hasi. Mentaliteti, mendësia e udhëheqësve, drejtuesve, të Policisë së Shtetit, është të krijojmë një polici, që dhe diktatura do ta kishte zili. Më shumë policia merret me kush vjedh ujin, kush vjedh energjinë elektrike, etj, por ky nuk është misioni i policisë. Duke u marrë me këto çështje dytësore, vjen mungesa e kontrollit të territorit. Policia ka si mision parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndryshe s’duhet të ekzistonte fare. Nuk ma do mendja që të rinjtë ta kenë gjetur armën në rrugë, nuk është logjike. Të gjithë e dinë që armëmbajtja pa leje është kthyer në masë nga të rinjtë vitet e fundit, sepse ka mungesë totale kontrolli, pasi i është bërë deformim total Policisë së Shtetit. Kur ishim ne në punë kishim lidhje me prokurorët, madje edhe personale, ndërsa tani ky raport nuk ekziston. Tani prokurorët janë në hall nga Vettingu, ndërsa një pjesë që e kanë kaluar thonë “me ty do merrem unë, tani jam më lart”, etj. Misioni i policisë pa Prokurorinë është zero, i vdekur”, tha ish.zv/drejtori i Krimeve.

Bezat: Është e frikshme, pasi është shumë e lehtë për të siguruar armë zjarri në vendin tonë. Kujtojmë se në zonën e Kinostudios u gjet një magazinë armësh, që rivalizonte edhe ushtrinë. Armët tregtoheshin me shifra të çmendura nga Amerika.

Ngjeqi: E kanë deformuar misionin, drejtimin, e Policisë së Shtetit. Më parë nuk ka qenë një polici-shtet, siç është sot. Ka vite që nuk dëgjohet emri i asnjë policie tjetër, vetëm i Policisë së Shtetit. Më parë, kishte Polici të Pyjeve, Polici të Energjisë, etj. Sot është shumë e lehtë të sigurohet një armë zjarri. Të gjitha veprat penale shoqërohen nën trysninë e armës. Edhe të trafikosh qenien njerëzore, duhet të kesh armë. Çdo gjë bëhet nën shoqërimin e armës. Nuk kushton asgjë të gjesh sot një armë. Armët e zjarrit në Shqipëri janë fenomen shumë i përhapur. Policia duhet të parandalojë shumicën më të madhe të ngjarjeve kriminale, pasi në të kundërt humb misionin e vet.

Po vrasja në Vlorë si mund të ishte parandaluar?
Ngjeqi: Kriminalizimi thuajse total që i është bërë shoqërisë me kanabizimin e vendit ka fatura edhe 10-vjecare. Pse Policia e Shtetit nuk shkon te parcelat e hashashit? Sepse drejtuesit nuk duan të zbulohen parcelat e hashashit. E kujtoni ngjarjen në Shkodër, ku ishte vrarë një person te parcela e hashashit, por policisë ju deshën pesë ditë të shkonte, sepse nuk kishte marrë paratë e parcelës, ndaj nuk donin që të zbulohej. Nuk ka ndodhur qysh kur është krijuar shteti shqiptar, që policisë t’i thuash se është vrarë një në një parcelë dhe shkon pas pesë ditësh. Madje policia vrapon me një zell të madh.

Në ç’pikë jemi me hetimet për dy vrasjet e fundit?
Bezat: Për Tiranën policia ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje. Deri më tani janë vetëdorëzuar pesë persona të përfshirë në ngjarje, të cilët do të zbardhin më shumë detaje për vrasjen, ndërsa janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Sa i përket vrasjes në Vlorë, ka tjetër dinamikë. Kemi një person me precedentë penalë dhe një vrasje mjaft agresive, në mes të ditës, me automatikë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 29 gëzhoja, që tregon se autorët kanë dashur me patjetër ta lënë të vdekur shënjestrën. Ndërkohë që edhe biznesmeni i vrarë ishte i armatosur, me një armë në brez dhe të mbushur, me plumb në gojë. Kjo tregon se ai i druhej një atentati. Duket se autorët e kanë studiuar mirë zonën dhe lëvizjet e tij. Ka një pistë të ngritur, nëse kemi të bëjmë me një vrasje për konflikt pronash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat