Erla Mëhilli: Mosnjohja e zgjedhjeve prodhon krizë. Manjani: Opozita dështoi të krijonte shumicën

Shqipëria

Erla Mëhilli: Mosnjohja e zgjedhjeve prodhon krizë. Manjani: Opozita dështoi të krijonte shumicën

Më: 11 maj 2021 Në ora: 22:27
Erla Mëhilli

Ekspertja e komunikimit Erla Mëhilli thotë se pas procesit të 25 prillit Shqipëria rrezikon të kaplohet nga një “gjuhë politike konfliktuale” për shkak të artikulimit të opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve.

E ftuar në “Ilva Now”, znj. Mëhilli theksoi se mospranimi i rezultatit zgjedhor nga njëra palë prodhon krizë, por kjo situatë shton ajo, jo-domosdoshmërisht çon në protesta apo revolta në rrugë.

“Edhe nga Basha por edhe funksionarë të tjerë të PD është thënë se betejën do ta vijojnë edhe brenda parlamentit. Nëse do rrimë tek mosnjohja e zgjedhjeve, këtu pastaj hyjmë në një krizë. Mund të jetë politikë konfliktuale, por jo domosdoshmërisht do ketë protesta”, tha ajo.

Juristi Ylli Manjani theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë zhvilluar në mënyrë të ndershme, ndërsa këtu solli në vëmendjen ndryshimet e njëashme, që mazhoranca bëri në Kodin Zgjedhor.

“Insistoj tek nevoja për t’i lexuar mirë dhe deri në fund zgjedhjet, për t’i lexuar pa emocion. Unë mendoj, se zgjedhjet nuk kanë qenë të ndeshrshme në Shqipëri për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor. I kanë bërë zgjedhjet e pandershme. Kjo është hera e parë që kemi hyrë në zgjedhje në mënyrë jo-konsensuale”, tha ai.

Pavarësisht kontestimeve të bëra mbi rezultatin e 25 prillit, Manjani thekson se opozita e vendit duhet ta pranojë faktin se nuk arriti dot të krijonte një shumicë bindëse, përmes së cilës të meritonte qeverisjen e Shqipërisë.

“Opozita duhet të pranojë që nuk arriti të ketë një shumicë bindëse, që të meritonte qeverisjen”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat