Hetimi i krimeve zgjedhore, Manjani: Edhe nëse futen në burg 40 mijë komisionerë dhe numërues nuk ndryshon rezultati

Shqipëria

Hetimi i krimeve zgjedhore, Manjani: Edhe nëse futen në burg 40 mijë komisionerë dhe numërues nuk ndryshon rezultati

Më: 13 maj 2021 Në ora: 17:44
Ylli Manjani

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ shtyrtoi të mërkurën tre ankimimet e para të PD-së, LSI-së dhe kandidatit të Vetëvendosjes, për rezultatin zgjedhor në Qarkun e Gjirokastrës, ku socialistët morën tre mandate, demokratët një dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti të merrte asnjë deputet.

Ata kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark, por KAS mori dhe pak kohë deri në marrjen e një vendimi final.

“Duke qenë se presim dy prova do pezullohet procesi administrativ deri në marrjen e provave”, tha Ledio Braho.

I vetmi vendim që mori KAS ishte refuzimi në bllok i kërkesave të palëve e ankimuese për të marrë prova shtesë nga institucione të ndryshme përmes së cilave sipas opozitarëve mund të konfirmojnë pretendimet e tyre masakër elektorale.

Ish-ministri, Ylli Manjani, thotë se KQZ është e fokusuar te shkeljet ligjore që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, pasi kjo është edhe detyra e këtij institucioni.

Manjani: Nuk e di çfarë e ka çuar KAS të marrë atë vendim. Por duhet të kuptojmë se është një gjë të bësh publik një lajm që dikush ka ndërhyrë te fletët e votimit, është element shkelje ligji padiskutim, por është një gjë krejt tjetër kur ti vlerëson nëse kjo shkelje ligji ndikon apo jo në rezultatin e zgjedhor të qarkut dhe detyra e KQZ është ta shohë në këtë kontekst. Këto janë ligjet. KQZ merr në shqyrtim ato raste, bën hetim të thelluar për ato raste kur ja vlen hetimi se mund të ndikojnë në rezultat, kur rezultati është i ngushtë, ndjeshmëria është evidente.

Në total janë 18 ankimime, 9 të paraqitura nga demokratët, 6 nga LSI-ja dhe tre nga kandidatët e Vetëvendosjes, në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Dy partitë kryesore kanë kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit në 9 nga 12 qarqet e vendit, duke pretenduar një shitblerje masive të votës, shfrytëzimin nga ana e socialistëve në pushtet të të gjithë makinerisë shtetërore në funksion të fushatës, përfshirë akuzat për lidhje me element kriminalë apo mohimi i të drejtës së emigrantëve për të votuar dhe shumë elementë të tjerë që sipas opozitës çuan në atë që e quan një masakër elektorale.

Por Manjani në intervistën për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se rinumërimi është instrument që e përdor KQZ për të kuptuar a është vlerësuar drejt rezultati apo jo në ato raste ku rezultati është vërtet i ngushtë, duke sjellë rastin e Beratit ku mandati është ndarë për 77 vota.

Manjani: Procesi i rinumërimit është proces hetimi, KQZ mund ta vendosë edhe pa kërkesën e partisë. Rinumërimi është instrument që e përdor KQZ për të kuptuar a është vlerësuar drejt rezultati apo jo në ato raste ku rezultati është vërtet i ngushtë. Nëse për 77 vota në Berat ikën një mandat këtu sigurisht rinumërimi mund të jetë një instrument për të kuptuar se ndoshta me të vërtet ka pasur parregullësi. Po kështu ka një pretendim se në qendra votimi janë gjetur fletë votimi më shumë se votues. Këtu jemi para një pavlefshmërie e cila realisht ndikon në rezultat. Është një rast shumë më evident se Gjirokastra ku rezultatin e ka shumë më të theksuar, diferencat janë aq të mëdha sa nuk ja vlen të hysh në këtë procedurë. Sigurisht për efekt të transparencës publike mirë do ishte të ishte gjetur një mekanizëm për ta vlerësuar qoftë dhe për efekt të ndjekjes penale por në këtë rast KQZ është më shumë e fokusuar drejt rezultatit.

Sidoqoftë, Manjani gjykon se KQZ duhet ta shterojë këtë proces, qoftë dhe për të shuar alibitë e partive.

Manjani: Ky proces duhet shteruar, qoftë dhe për të shuar alibitë. KQZ duhet të ndihmojë me sa më shumë transparencë. Publiku duhet të dijë se çfarë ka ndodhur.

Pavarësisht vendimit që do të merret, një gjë është thuajse e sigurt, se nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, gjithshka pritet të përfundojë dhe në Kolegjin Zgjedhor.

Sa i takon hetimit të krimeve zgjedhore nga SPAK, Manjani thotë se edhe nëse futen në burg mbi 40 mijë komisionerë dhe numërues, kjo nuk e zgjidh rezultatin zgjedhor.

Përkundër kësaj, ai nxit organet e hetimit të çojnë për ndjekje penale personat që kanë kryer shkelje ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Manjani: Ndjekja penale nuk ndryshon rezultatin zgjedhor. Edhe sikur të fusin në burg 40 e ca mijë komisionerë dhe numërues nuk e zgjidh rezultatin zgjedhor. Rezultatin zgjedhor do të duhet ta konfirmojë KQZ dhe mbi të është Kolegji Zgjehdor, këto janë dy procese të ndara. Pastaj shkelësit e ligjit, me ato videot që kanë dalë në publik, nuk ka shkencë të madhe. Prokurori mund të marrë videon, mund të sekuestrojë dhe materialet zgjedhore të asaj kutie zgjedhjesh, ti verifikojë dhe hetimi është i bërë. Ata që e kanë bërë këtë punë mund ti nënshtrohen ndjekjes penale por nuk është se detyrimisht mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat