Mblidhen 161 milionë euro më shumë, rritet konsumi/ Arkëtimet kalojnë edhe shifrat e para nisjes së krizës

Shqipëria

Mblidhen 161 milionë euro më shumë, rritet konsumi/ Arkëtimet kalojnë edhe shifrat e para nisjes së krizës

Më: 17 maj 2021 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Ekonomia shqiptare po jep sinjale rimëkëmbje, pasi treguesit e buxhetit të shtetit janë përmirësuar më tej edhe gjatë prillit.

Të dhënat zyrtare të Financave tregojnë se 4-mujorin e këtij viti janë grumbulluar 152.2 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat, rreth 20 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Statistikat tregojnë se arkëtimet kanë kaluar edhe nivelet e para krizës, pasi kanë shënuar rritje edhe në raport me vitin 2019, duke sinjalizuar edhe një përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe ekonomisë në tërësi.

Por, cilat janë zërat që kanë patur ecurinë më të mirë të arkëtimeve? Sipas të dhënave, tatimi mbi vlerën e shtuar gjeneroi rreth 43 miliardë lekë, duke iu afruar nivelit të 2019-ës, ccka tregon se konsumi po shfaq sinjale përmirësimi.
Zgjerim kanë parë edhe të ardhurat nga taksat e punës, tatimi mbi të ardhurat personale si dhe zëri i sigurimeve shoqërore e shëndetësore pasi pasi u rritën jo vetëm në raport me 2020-ën, por edhe me vitin normal të 2019-ës.

Një ecuri e tillë e këtyre zërave mund t’i atribuohet përmirësimit të ecurisë së biznese e përmirësimit të tregut të punës me rimarrjen në punë të punonjësve, si dhe efekteve të rritjes së pagës minimale në vend.

Edhe pse janë rritur këtë katër mujor në raport me 2020-ën, të ardhurat nga tatim fitimi dhe të ardhurat e bashkive rezultojnë në rënie me nivelet e para krizës, duke reflektuar edhe efektet që ka dhënë pandemia.

Edhe shpenzimet buxhetore nga ana tjetër kanë ndjekur një trend në rritje në muajt janar-prill, duke arritur në 166.9 miliardë lekë, mbi 18 miliardë lekë më shumë se në 2020-ën.

Ajo që vihet re nga të dhënat është një rritje e ndjeshme si e shpenzimeve korrente për paga e shpenzimeve operative mirëmbajtje , ashtu edhe për ato kapitale kryesisht për investime.

Ndërsa deficiti buxhetor pësoi rënie me rreth 927 milionë lekë, pasi rezultoi në 14.6 miliardë lekë ne fund të prillit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat