Logu për vendimin e KAS: Ankimimet e PD për Tiranën, Durrësin e Shkodrën u rrëzuan me urdhër politik të Ramës

Shqipëria

Logu për vendimin e KAS: Ankimimet e PD për Tiranën, Durrësin e Shkodrën u rrëzuan me urdhër politik të Ramës

Më: 25 maj 2021 Në ora: 20:57
Marash Logu

Përfaqësuesi ligjori i PD-së, Marash Logu, akuzoi sot tre anëtarët  e KAS se rrëzuan ankimimet e PD-së për qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës me urdhër politik të Ramës.

Ai deklaroi për mediat se KAS ka refuzuar 114 herë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për transparencë të plotë mbi zgjedhjet e 25 prillit.

"Ne kemi paraqitur prova të pakundërshtueshme sesi në qarkun e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, votat u blenë nga drejtues të lartë të PS në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar. Në qarkun e Durrësit kishte një skemë kriminale të mirëfilltë të drejtuar nga drejtuesi politik Adrian Çela, i cili në bashkëpunim me ish-kryetarin e bashkisë Durrës Vangjush Dako dhe me deputetë të skeduar për lidhjen e tyre me krimin e organizuar, kam parasysh këtu Jyrgys Çyrben, Ilir Ndraxhin apo Rrahman Rrajën kishin ngritur struktura të mirëfillta për blerjen e votës.

 Po ashtu blerje masive të votës kishte edhe në qarkun e Shkodrës ku Tom Doshi nëpërmjet lidhjeve të tij kriminale në zonën e Pukës apo Vaut të Dejës, kam parasysh këtu shtetasin tjetër Mark Frroku, blinin vota masivisht pëer të pasur mjaftueshëm vota për mandatin e deputetit. Është fakt i provuar se burimet shtetërore në qarkun e Tiranës, Durrësit e Shkodrës u përdorën masivisht në shërbim të PS, kam parasysh këtu lejet e legalizimit, lejet e ndërtimit, tenderat dhe kontratat publike si dhe çdo mjet tjetër dhe aset publik që ishte në dispozicion të shtetit".

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk e pranoi kërkesën e PD për të kërkuar 19 prova shtesë nga institucionet, që sipas demokratëve do të dëshmonin blerjen e votës nga socialistët në Tiranë.

Po ashtu KAS rrëzoi kërkesën e PD për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Durrës dhe Shkodër.

Nga ana tjetër KAS pranoi kërkesën e LSI për rinumërimin e 108 kutive të qarkut të Durrësit, proces i cili do të nisë nesër në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat