I hetuar nga SPAK/ Si u arrestua nga policia zjarrfikësi gjobvënës, ishte kthyer në ‘tmerrin’ e tregtarëve

Shqipëria

I hetuar nga SPAK/ Si u arrestua nga policia zjarrfikësi gjobvënës, ishte kthyer në ‘tmerrin’ e tregtarëve

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Një inspektor në repartin e zjarrfikëses,  në MNZSH pranë Bashkisë Fier u arrestua nga policia pas hetimeve të kryera nga SPAK, në bashkëpunim me SHÇBA, pasi ishte kthyer në makthin e tregtarëve të qytetit, duke i kërcënuar me gjoba dhe më pas u merrte shuma monetare.

Policia i sekuestroi atij një thikë, madje edhe një shkop druri artizanal në formën e shkopit të bejzbollit, që përdorej për veprime të dhunshme. Mësohet se punonjësi i mbante këto sende me vete gjatë ushtrimit të detyrës.

“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me prokurorët e SPAK arrestoi në flagrancë shtetasin K.R., 53 vjeç, me detyrë Inspektor i parandalimit në MNZSH pranë Bashkisë Fier”, beri me dije SHCBA.

53-vjeçari akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv, i kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje dhe armëve të ftohta”.

Mësohet se ndaj tij ishte regjistruar procedim penal nga SHÇBA, “pas një hetimi proaktiv, prej të cilit u administruan të dhëna që implikonin shtetasin K. R. në veprimtari dhe akte korruptive të vazhdueshme ndaj disa subjekte private që ushtronin aktivitetin e tyre në territorin e Bashkisë Fier, në fushën e tregëtisë me shumicë”.

Blutë theksojnë se ai dyshohet se “ka keqpërdorur atributet ligjore përmes ushtrimit të presionit për vendosje gjobash dhe masa të rënda administrative ndaj subjekteve, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare për të mos i aplikuar këto masa”.

“Nga hetimi disa mujor i SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë SPAK duke aplikuar metoda speciale, u bë e mundur organizimi dhe finalizimi i operacionit “Zjarrfiksi Gjobvënës”, në të cilin u realizua dokumentimi me prova ligjore i ndërveprimit korruptiv të kryer nga punonjësi i MNZSH, Inspektor K.R”.

Nga veprimet proceduriale të kryera, u sekuestruan provat materiale:

– 32,000 lekë, e dyshuar si produkt i ndërveprimeve korruptive;
– Armë e ftohtë, thikë dhe dorezë të inkorporuara me njëra tjetrën, e cila dyshohet se futet në kategorinë e armëve të ftohta pa leje;
– Shkop druri artizanal në formën e shkopit të bejzbollit, që përdoret për veprime të dhunshme.

“Shtetasi K.R. i mbante sendet e mësipërme me vete gjatë ushtrimit të detyrës.

Materialet proceduriale të përpiluara, i dërgohen për vijimin e hetimeve Prokurorisë SPAK.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u bën thirrje të gjithë subjekteve private që janë cënuar apo cënohen nga veprime të tilla, të denoncojnë rastet pranë zyrave apo mjeteve të komunikimit të vëna në dispozicion nga SHÇBA”, thuhet ne njoftimin per mediat te SHCBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat