"Ky është një shtet që e ka marrë ferra uratën", Budina: Në seancën për Teatrin asnjë përgjigje dinjitoze nga qeveria

Shqipëria

"Ky është një shtet që e ka marrë ferra uratën", Budina: Në seancën për Teatrin asnjë përgjigje dinjitoze nga qeveria

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 20:30
Regjisori Edmond Budina

Ditën e djeshme, 16 qershor në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca e rradhës për Teatrin Kombëtar. Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendimin përfundimtar.

Regjisori Edmond Budina, i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se në seancën  e djeshme u diskutua themeli i çështjes, ku secila pala paraqiti provat e veta.

Regjisori Budina u shpreh se pala kundërshtare (qeveria) pretendon se kjo nuk është çështje që i përket Gjykatës kushtetuese, por çështje  e Gjykatës Administrative.

Budina:" Ishte seanca e radhës në Gjykatën Kushtetuese, u bënë parashtrimet e palëve, u diskutua themeli i çështjes. Secila palë paraqiti provat e veta. Ishte shumë i rëndësishëm fakti që ne ishin brenda dhe e pamë se si u zhvillua debati. Më ka bërë shumë përshtypje fakti që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin një njohje të thellë të dosjeve voluminoze që ne kemi dorëzuar qoftë në SPAK, qoftë në Gjykatën Kushtetuese. Jam i bindur që po e gjykojnë çështjen me detaje. Kjo më bëri të besoj që edhe vendimi që do të japin do të jetë shumë i drejtë. Ka një pretendim nga ana e qeverisë që kjo çështje nuk i takon Gjykatës Kushtetuese, sipas tyre i përket Gjykatës Administrative.

Për mua është një fyerje dhe për Gjykatën Kushtetuese që ti parashtron çështje të këtij lloji, ti je në gjykim dhe nuk e respekton këtë Gjykatë. Si mundet këta juristë, avokatë të Këshillit të Ministrave të vijnë dhe të thonë kjo çështje nuk i përket Gjykatës Kushtetuese?"

Regjisori gjatë fjalës së tij u shpreh se dosja e dorëzuar nga "Aleanca për mbrojtjen e Teatrit" ishte shumë voluminoze dhe qeveria nuk kishte përgjigje për shumë gjëra. Ata nuk kishin argumentim të saktë dhe të thelluar të çështjes, sipas regjisorit.

Budina: "Ligji special ka rënë tani që nuk është objekti. Në arsyetimet që kishte pala kundërshtare dukeshin sikur donin të kapeshin këtu, atje dhe nuk kishin një argumentim të saktë dhe të thelluar të problemit të  çështjes. Më erdhi shumë keq, që në këtë shtetin tonë shumë gjëra ishin të frikshme. Dosja jonë ishte shumë e pasur dhe ata nuk kishin përgjigje për shumë gjëra."

Më tej, regjisori tha nuk mund të bëhet shtet duke mos dëgjuar zërin e qytetarëve.

Budina: "Ky është një shtet që e ka marrë ferra uratën. Nuk mund të bëhet shtet duke diktuar çdo gjë, duke mos dëgjuar zërin e qytetarit. Këtë e pashë të vërtetuar në Gjykatën Kushtetuese, për mos parë argumentet që nxirrnin. Arsyetimi ishte shumë bajat dhe banal. Të arrijë përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave dhe të thotë që Teatri Kombëtar u shemb po garderroba ishte hequr, është jo vetëm turp po nuk e kuptoj se si kanë guximin këta njerëz të thonë këtë. Nëse e hapim videon shihet se si fadroma i bie kostumeve të Teatrit Kombëtar dhe i fundos atje."

Sipas regjisorit Budina në Tiranën e sotme po zhduket kujtesa dhe vlerat kulturore.

Budina: "Duhet ruajtur e shkuara. Në Tiranën e sotme po zhduket kujtesa, ne nuk kemi më asnjë pikë lidhje me qytetin.  Fazat e zhvillimit të tij ngelen me ndërtesat. Vlerat e trashëgimisë kulturore nuk janë se dua unë, apo si dua unë. Kjo është një gjë absurde dhe këtë e pashë më së miri me arsyetimin që bëri dje Këshilli i ministrave."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat