"Këtu është fundi i jetës", prej një muaji spitali i Burrelit pa mjek gjinekolog

Shqipëria

"Këtu është fundi i jetës", prej një muaji spitali i Burrelit pa mjek gjinekolog

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 18:00
Ilustrim

“Këtu Fillon jeta” shkruan pankarta e madhe në hyrje të spitalit të Burrelit.

Por, prej më shumë se një muaji, aty nuk nis më asnjë jetë.

Në këtë spital mungon mjeku gjinekolog, pasi doktor Halit Karanxha ka mbyllur kontratën me këtë spital.

Duke u nisur nga kjo problematikë, Linela Markja së bashku me bashkëshortin e saj protestuan të vetëm para spitalit.

Markja thotë se ky është një problem mjaft shqetësues që duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.

Prej pothuajse një muaji materniteti i Burrelit nuk ka pasur një mjek gjinekolog dhe të gjitha gratë që kanë qenë për lindje, operacion ose vizita gjinekologjike janë dërguar në Lezhë dhe në Rrëshen," tha ajo.

"Nëse nuk gjendet mjeku gjinekolog këtu vdes, këtu është fundi i jetës."

Pak minuta pas protestës, drejtori i spitalit të Matit Roland Meta tha se është gjetur një zgjidhje provizore për këtë shqetësim të drejtë.

"Sot nga ministria e Shëndetësisë është arritur patronazhim që do mbulojë deri në ardhjen e mjekut specialist, do mbulohet nga mjekët e spitalit rajonal Dibër," tha Meta.

Në Dibër janë 3 mjekë gjinekolog të cilët do të shërbejnë me grafik në Burrel deri në një zgjidhje përfundimtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat