VOA: Shqipëria riatdheson pesë gra shqiptare dhe 14 fëmijë nga kampi “Al Hol” në Siri

Shqipëria

VOA: Shqipëria riatdheson pesë gra shqiptare dhe 14 fëmijë nga kampi “Al Hol” në Siri

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 22:30
Edi Rama, Liban

Shqipëria po riatdheson pesë gra shqiptare dhe 14 fëmijë nga kampi “Al Hol” në Siri, të cilët ishin të lidhur me luftëtarë shqiptarë që iu bashkuan grupeve ekstremiste islamike, që luftonin në Siri dhe Irak, tha të shtunën kryeministri i vendit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ishin në Bejrut ku u takuan me gjeneralin libanez Abass Ibrahim, i cili ka luajtur një rol kyç në përpjekjet e riatdhesimit, së bashku me shërbimet e inteligjencës nga vende të tjera.

"Lajmi i mirë është se 14 fëmijët dhe pesë gratë janë nxjerrë nga kampi i ferrit," tha kryeministri Rama. "Unë jam këtu për të marrë fëmijët dhe gratë dhe t'i kthej përsëri në atdheun tonë nesër", theksoi ai.

Rama tha se Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe institucionet e tjera të inteligjencës po bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet libaneze për riatdhesimin e tyre.

Ai nuk specifikoi nëse burrat e grave ishin gjallë apo kanë vdekur, ose nëse ndonjëra prej tyre do të përballet me akuza për terrorizëm pas kthimit në atdhe.

Kjo është përpjekja e tretë për riatdhesimin e shqiptarëve nga territoret luftarake në Siri.

Në tetor të vitit të kaluar, pesë shqiptare u riatdhesuan ndërsa një fëmijë shqiptar u riatdhesua një vit më parë.

Disa qindra burra shqiptarë iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010.

Shumë u vranë dhe gratë e fëmijët e tyre kanë qënë të ngujuar në kampet siriane.

Të afërmit në Shqipëri thonë se rreth 30 fëmijë dhe gra të tjera shqiptare janë ende në kampet siriane.

Por kryeministri Rama dyshoi se ky mund të ishte numri i saktë, "sepse informacioni përditësohet"./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat