Porti i Marinës së Vlorës i kalon privatit, jepet me qera për 20 vite me çmim 1 euro

Shqipëria

Porti i Marinës së Vlorës i kalon privatit, jepet me qera për 20 vite me çmim 1 euro

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 16:30
Ilustrim

Porti turistik i Vlorës ‘Marina Di Valona’ do t’u jepet me qera për 20 vite 4 subjekteve me një çmim simbolik prej 1 euro.

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi ndryshimin e pronësisë nga Porti Detar i Vlorës tek Ministria e Financave.

Sipas dokumenteve pasuria e paluajtshme shtetërore ku do të realizohet dhe investimi ‘Marina di Valona’, do kalojë nën administrimin dhe pronësinë e tre kompanive shqiptare dhe një tjetër angleze.

Konkretisht, Marina Di Valona sh.p.k, e krijuar në janar të vitit 2020 dhe që është në pronësi të Geront Çelës me 100% të aksioneve.

Por sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se edhe kompania e hidrosanitareve Brunes sh.p.k administrohet nga i njëjti person, ku Çela zotëron gjithashtu 80% të kuotave.

Kompania e tretë përfituese është subjekti Ndregjoni s.hp.k, i cili merret me ndërtime dhe është nën administrimin dhe pronësinë e Xhetan Ndregjonit.

Ndërkohë që subjekti tjetër, ‘Marina Projects LTD’ rezulton se është një kompani angleze e krijuar në vitin 2002.

Porti ‘Marina Di Valona’ është dhënë me koncesion në mars të këtij viti me një vlerë investimi prej 22.8 milionë eurosh pa TVSH.

Ai do të menaxhohet nga privati për 35 vite dhe pjesë e garës ishin edhe kompanitë “Albavia” sh.p.k që ofroi 1.8 miliardë lekë dhe “Gjikuria” sh.p.k 22.7 milionë euro, por të dyja kompanitë janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni.

Objektivi i qeverisë është që përmes PPP-së, Triportin në Vlorë ta kthejë në një port mallrash dhe peshkimi, ndërsa porti aktual të behet një port turistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat