‘13.5% e shqiptarëve nuk paguajnë dot për analiza shëndetësore’/ PD reagon për shifrat e Eurostat: Me Edi Ramën, më keq do të bëhet

Shqipëria

‘13.5% e shqiptarëve nuk paguajnë dot për analiza shëndetësore’/ PD reagon për shifrat e Eurostat: Me Edi Ramën, më keq do të bëhet

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 18:11
Deputetja e PD, Albana Vokshi

Deputetja e PD, Albana Vokshi ka publikuar raportin e Eurostat, sipas të cilit, 13.5 % e qytetarëve shqiptar nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta.

Vokshi thotë se shëndetësia falas është mashtrimi dhe dështimi më i madh i Ramës. Sipas saj, shqiptarët do të paguajnë më shumë lekë nga xhepi për shëndetin pasi sistemi nuk është në shërbim të tyre, por të klientëve të Edi Ramës.

“Janë rreth 380 mijë qytetarë që nuk përballojnë dot çmimet e larta në privat, pasi qeverisja e Edi Ramës dështoi ta sigurojë këtë shërbim jetik në sistemin publik. Kur flitet për shëndetësinë në Shqipëri, gjërat shkojnë keq e më keq”, shprehet Vokshi, duke listuar më tej disa fakte që raportojnë Eurostat dhe Banka Botërore.

Postimi i plotë:

Shqipëria është sërish në krye të listës së Europës për keq. Të dhënat e fundit nga Eurostat tregojnë përkeqësim të mundësisë që kanë shqiptarët për të kryer analizat e duhura shëndetësore. Janë rreth 380 mijë qytetarë që nuk përballojnë dot çmimet e larta në privat, pasi qeverisja e Edi Ramës dështoi ta sigurojë këtë shërbim jetik në sistemin publik. Kur flitet për shëndetësinë në Shqipëri, gjërat shkojnë keq e më keq. Ja disa fakte që raporton Eurostat dhe Banka Botërore:

• 13.5% e shqiptarëve (rreth 380 mijë) nuk kanë para e mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta. Numri është rritur me më shumë se 30 mijë në vetëm dy vjet. Veriu i Shqipërisë, më i varfëri, më i braktisuri më i pamunduri për shërbime shëndetësore (23.1% nuk përballojnë shpenzimet për shëndet)
• Shqipëria, ka buxhetin më të ulët për shëndetësinë në Europë, 2.8% në 2018 (sipas një raporti të OECD&EC) ndërkohë që Maqedonia e Veriut e ka 4.1%, Bosnja Herzegovina 6.5%, Serbia 5.4%, Greqia 5.2% etj;

• Shpenzimet për frymë për shëndetësinë janë më të ulëtat në rajon, vetëm 116 € ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut janë 186.5 €, Serbi 248.5€, 268 € në Bosnjë Herzegovinë;

• Shpenzimet private të shqiptarëve për shëndetin janë më të lartat në rajon. 93% e shqiptarëve paguajnë nga xhepi (rryshfet, barna e kura te privati). Pagesa nga xhepi është më e larta në rajon me 58%, shumë më e lartë se në çdo vend të rajonit: 41% në Serbi, 35% në Maqedoninë e Veriut, 29% në Bosnjë-Herzegovinë, 15% në BE mesatare.

• Shqipëria është vendi me më pak mjekë në Europë: 1,2 mjekë për 1000 banore e shkon cdo ditë në ulje për shkak të largimit të mjekëve drejt vendeve të tjera kryesisht në Gjermani. Ndërkohë që Serbia e ka këtë raport 2.4 mjekë; Maqedonia e Veriut 2.8 mjekë, Greqia 6.8 mjekë.

• Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vdekshmërisë gjatë periudhës së pandemisë. Komisioni Europian raporton që ky nivel në Shqipëri është më i lartë se dyfishi i mesatares në vendet e BE.

Me Edi Ramën, më keq do të bëhet. Do të paguajmë më shumë lekë nga xhepi për shëndetin tonë, sepse sistemi shëndetësor nuk është në shërbim të qytetarëve por të klientëve të Edi Ramës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat