Efektivi Saimir Hoxha u shpall “Dëshmor”, i ati flet mes lotëve: Nuk kam më motiv për të jetuar!

Shqipëria

Efektivi Saimir Hoxha u shpall “Dëshmor”, i ati flet mes lotëve: Nuk kam më motiv për të jetuar!

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 08:36
Saimir Hoxha

“Memorialit të Dëshmorëve të Policisë dje iu shtua një tjetër yll, që do shkëlqejë bashkë me 224 kolegët e tij, të cilët në këto vite dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt”.

Kështu u shpreh dje drejtori Ardi Veliu, teksa i dha lamtumirën në emër të gjithë organizatës së Policisë. Nënkomisari Saimir Hoxha, i cili humbi jetën të martën në krye të detyrës, mori dje statusin e “Dëshmorit të Atdheut” dhe u përcoll me nderimet më të larta në Varrezat e Dëshmorëve. Homazhet në nderim të oficerit të Policisë së Lezhës u zhvilluan dje në Pallatin e Kongreseve. Makina e funeralit me trupin e pajetë të oficerit të Policisë mbërriti pak para orës 12:00 në ambientet e jashtme të Pallatit të Kongreseve, ku kolegët e tij kanë bërë transportimin e arkivolit në vendin ku u zhvilluan homazhet.

Në ceremoni ishin të pranishëm kupola më e lartë drejtuese e Policisë së Shtetit, por edhe efektivë nga reparte të ndryshme të uniformave blu. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” nisi pak orë pas ngjarjes së të martës procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha “Dëshmor i Atdheut”, duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë në bazë të ligjit të posaçëm. Ndërsa dje, ai u shpall dëshmor. Hoxha la pas dy fëmijë, të cilët do të marrin trajtim deri në moshën 18 vjeç, nëse vazhdojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç dhe do të marrin 170% të pagës së nënkomisari.

FAMILJARET

Nënkomisari i Lezhës ishte babai i dy djemve, 1 dhe 3 vjeç, ndërsa vetë ishte rritur nga dy prindër mësues. Saimiri ishte vëllai i vetëm mes tri motrave. Babai i tij 85- vjeçar, i pranishëm dje gjatë homazheve dhe në ceremoninë te Varrezat e Dëshmorëve, nuk i mbajti dot lotët. Ndërsa dhimbjen për humbjen e djalit të vetëm e shprehu ashtu siç vërtet e ndjente:

“Nuk kam më motiv për të jetuar… s’ka më fjalë të më ngushëllojë”. Në emër të familjes së të ndjerit, Sulejman Sula, ka shprehur nderimet në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të nënkomisarit Saimir Hoxha. Gjatë fjalës së tij, ai përmendi disa nga virtytet e familjes ku ai u rrit dhe hapave që ndoqi në jetë. Ai tha se dora e zezë e vrau, por nuk mund të shuajë dot shembullin, për të cilin ai kontribuoi në kaq shumë vite. “Saimir Hoxha ka pasur një babë fisnik në fushën e topografisë, një nënë të shquar në fushën e arsimit dhe dy motra të shquara brenda dhe jashtë vendit në fushën e jurisprudencës. Kudo u dallua për thjeshtësi, edukatë dhe profesionalizëm të plotë, krijoi një familje me një vajzë nga Tropoja, me të cilën lindën dy djem. Kur erdhi në jetë para 45 vitesh, i vunë jetën Saimir. Dora e zezë na e ndau nga jeta Saimirin, por jo shembullin, për të cilin kontribuoi. Në emër të familjes Hoxha falënderoj organet e shtetit për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’”, u shpreh ai.

DREJTORI I POLICISE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka mbajtur një fjalë në ceremoninë e lamtumirës së fundit për nënkomisarin Saimir Hoxha, i cili ditën e martë ra në krye të detyrës, pasi u qëllua nga 21-vjeçari Aldi Rama. Veliu u shpreh se vrasja e nënkomisariat ka shkaktuar një dhimbje të madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për të gjithë Policinë.

“Sot ka shumë dhimbje, është një ditë e trishtë, por edhe një ditë reflektimi. Ka shumë dhimbje për prindërit, bashkëshorten dhe dy engjëjt e kolegut tonë të paharruar, Saimir Hoxha, dhe familjarët e tij. E trishtë dhe e dhimbshme për gjithë organizatën e Policisë, pasi humbëm një tjetër koleg, shok, mik, por mbi të gjitha një oficer të përkushtuar për të kryer detyrën dhe për t’i shërbyer Atdheut. Atdheu sot nuk mund të ketë një mik më të mirë se ty, Saimir. Për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka moment më të vështirë se ky, të gjej fjalët e duhura për të ngushëlluar familjarët e Saimirit, si dhe të përshkruaj me pak fjalë karrierën 18-vjeçare të tij në shumë komisariate të vendit, me çdo detyrë të përmbushur më së miri. Falë përkushtimit e ndershmërisë, Saimiri krijoi profilin e një punonjësi të respektuar e të vlerësuar nga qytetarët. Ndaj të gjithë tashmë kemi barrën e rëndë të mirënjohjes dhe respektit, që nuk do mjaftojnë kurrë, përballë veprës sublime të tij dhe qindra Dëshmorëve të Policisë”, u shpreh Veliu. Ndërsa tha se Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë, nga krimi dhe nga drejtësia e vjetër, që shpeshherë vendimet e saj, i kanë paguar me jetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat