“Nusja e djalit tënd rri me një francez!”, zbardhet debati në Byronë Politike: Ai me mustaqe e ka ndjekur në shkollë me automobil!

Shqipëria

“Nusja e djalit tënd rri me një francez!”, zbardhet debati në Byronë Politike: Ai me mustaqe e ka ndjekur në shkollë me automobil!

Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 16:17
Enver Hoxha

Familja e ish-kryeministrit, Mehmet Shehu ka qenë e vëzhguar gjatë nga Sigurimi i shtetit. Për më tepër, në atë kohë familjarët e Mehmetit shiheshin ndryshe nga të gjithë ata që nuk banonin në ish-Bllok. Panorama.al boton sot pjesën e pestë të procesverbalit të mbledhjes së Byrosë së 17 dhjetorit 1981, ku Enver Hoxha dhe Simon Stefani hedhin dyshime mbi familjarët e Mehmetit.

Ata janë shprehur se kishin informacion që nusja e djalit të Mehmet Shehut kishte kontakte me një punonjës të ambasadës franceze. Kontaktet, që nuk janë kthyer në takime fizike, por që kanë shqetësuar të gjithë Byronë Politike. Në numrin e sotëm do të botohen batutat kundër nuses së djalit, por gjithmonë duke thumbuar Mehmet Shehut.

Ish-kryeministrit i kërkohet llogari se pse nuk ka ndërhyrë, pse nuk i ka besuar të dhënat e Sigurimit për këtë lidhje, pse nuk i ka dëgjuar këshillat e Enverit dhe pse nuk e ka kritikuar ashpër gruan e djalit.

Debati në mbledhjen e Byrosë kundër Mehmet Shehut

Shoku Simon Stefani: Do të flas pak lidhur me atë që tha shoku Ramiz, se ju mundoheni t’i rrumbullakosni gjërat. Kohët e fundit unë ju kam dërguar një informacion nga një komunist. Për mendimin tim, në vend që të gjykonit drejt mbi atë informacion, ju nuk patët besim te komunisti që na dërgoi informacionin, po vutë në lëvizje Nazar Berberin. Bile, edhe kur më thanë mua, filluat t’i zbusnit gjërat, i rrumbullakosët ato dhe dëgjuat nusen, sipas së cilës s’është e vërtetë kjo, s’ishte e vërtetë ajo, kur ato ishin ashtu siç thoshte komunisti që informoi Partinë.

Shoku Mehmet Shehu: Unë, shoku Simon, e pyeta Nazarin sepse ai përmendej në informacion.

Shoku Simon Stefani: Po pse ti nuk më besoje mua që ta solla informacionin, por besoje Nazarin?

Shoku Mehmet Shehu: Jo se nuk të besoja ty dhe informacionin që më dhatë, po nëse kishte dhe disa gjëra të tjera jashtë informacionit.

Shoku Simon Stefani: Po pse, po të kishte gjëra të tjera nuk do të t’i thosha unë? Po të më vinin të tjera, unë do të t’i thosha patjetër edhe ato.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, po kishte gjëra të tjera jashtë informacionit që më dërgove, meqenëse përmendej që Nazari kishte qenë prezent në atë kohë. Pra, desha të di ç’kishte vënë re edhe Nazari, që është edhe anëtar i Komitetit Qendror.

Shoku Kadri Hazbiu: Shoku Mehmet, ky ishte një informacion që juve ju erdhi nga Partia, që jua solli sekretari i KQ dhe…

Shoku Mehmet Shehu: Jo…

Shoku Kadri Hazbiu: Një minutë, të lutem, mos më ndërprit shoku Mehmet, se puna duhet gjykuar një çikë më thellë, atëherë, për të qenë edhe unë i qetë, t’i themi shokut Simon se Nazari që thotë kështu është anëtar i KQ, ju lutem shumë…

Shoku Mehmet Shehu: Atë edhe mund ta bëja…

Shoku Kadri Hazbiu: Po pse s’e bëre kështu, po more Nazarin?!

Shoku Mehmet Shehu: Shoku Nazar më vërtetoi po ato që kishte biseduar me atë person.

Shoku Kadri Hazbiu: Jo, nuk ka rëndësi, se kjo vërtetohet, Partia nuk na i dërgon gjërat ne pa i vërtetuar. Atëherë përse bëtë ju një demarsh të tillë? Pse nuk keni besim në informacionin që të jep Partia?

Shoku Mehmet Shehu: Nuk shtrohet çështja që unë nuk kam besim te Partia.

Shoku Kadri Hazbiu: Atëherë vemi tek ajo që thamë që në fillim, se ju veproni pa pyetur njeri, pa pyetur se ka Parti, ka rregulla e norma të saj etj.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, jo, nuk është kështu, nuk është se unë nuk kam besim te Partia.

Shoku Qirjako Mihali: Jo vetëm kaq xhanëm, por mendoj se Nazarin ju e keni thirrur që t’ju vërtetonte ndonjë gjë të kundërt, që të thoshit pastaj, ja nuk është kështu si u njoftove, po ndryshe.

Shoku Mehmet Shehu: Unë Nazarit i fola si anëtar i Komitetit Qendror dhe emri i të cilit përmendej në atë informacion, e pyeta nëse kishte vërejtur gjë e çfarë kishte vërejtur që mund të ishte e tepërt. Po mund të ishte edhe ashtu si thoni ju që unë të kisha vajtur te shoku Simon.

Shoku Pali Miska: Mirë, shoku Mehmet, po pse nuk e gjykon në anën tjetër këtë çështje, se unë nuk e di punën e informacionit si është e ku është, këtë e dini ju, ne nuk dimë as çështjen, e të thoni bravo i qoftë këtij komunisti të thjeshtë që preokupohet për çështjen e Partisë.

Shoku Mehmet Shehu: Unë nuk e kam kritikuar atë komunistin. I thashë edhe shokut Simon se kështu duhet vepruar.

Shoku Pali Miska: S’ishte nevoja ta thërrisje ti Nazarin që të vërtetoje ato që thuheshin në informacion, ose Nazari të të thoshte disa gjëra të tjera.

Shoku Mehmet Shehu: Po unë nuk e kam kritikuar komunistin që dërgoi informacionin në Komitetin Qendror, dhe shokut Simon i thashë se kështu duhet vepruar, i kërkova informacionin dhe nuk mund të mos e thërrisja unë vajzën (nusen) dhe djalin t’i kritikoja dhe i kritikova rëndë, po ajo më tha qe kish shkuar vetëm sa të blinte çokollatën.

Shoku Enver Hoxha: Ua shpjego mirë shokëve çështjen se kjo nuk është diçka e thjeshtë. Më parë se të të thonin Simoni dhe Nazari për nusen, të kam lajmëruar unë që të merrje masa, sepse e ndjek francezi.

Shoku Mehmet Shehu: Edhe kam vepruar.

Shoku Enver Hoxha: Nuk them se nuk ke reaguar, por këtë unë nuk mund të ta thosha pa qenë i sigurt. Dhe ti, porsa të njoftova, e thirre nusen dhe i fole. Këtë ma ke bërë edhe mua të ditur dhe ke bërë mirë. Tani ty të vjen një informatë tjetër, që tregon se ajo ecën prapë në atë rrugë, prandaj ti nuk kishe asnjë arsye pse të pyesje kurrkund, por me këtë të të forcohej besimi se kjo vajzë diçka ka. Mbase ajo nuk ka gjë me francezin dhe ishalla nuk ka, por çështja është që ai po e sulmon.

Shoku Mehmet Shehu: Edhe unë e kritikova shumë rëndë vajzën.

Shoku Enver Hoxha: Tashti unë po të tregoj një gjë tjetër më të re. Pasi ti e kritikove rëndë nusen, unë prapë kam informata nga sigurimi se kur ajo ka vajtur në shkollë, francezi e ka ndjekur nga pas me automobil. Biseduan a nuk biseduan me njëri-tjetrin, kjo s’dihet, po ja i kanë parë të ecnin paralel. Tani çështja nuk shtrohet, e pyete apo nuk e pyete ti Nazarin. Ajo që të dërgoi Simoni është një informatë për vajzën për të cilën ti e dije më parë diçka nga unë, të erdhi edhe një herë tjetër, u bënë dy, të erdhi edhe një herë tjetër, tre. Ja tani po të them edhe këtë që është më e re. Prandaj nuk bëhet fjalë pse pyete ti Nazarin, por ti e bëre atë se nuk ishe i bindur nga ato që të tha Simoni, harrove edhe atë që të kisha thënë unë.

Shoku Mehmet Shehu: Jo atë nuk e harrova.

Shoku Enver Hoxha: Po e harrove, se të erdhi edhe një informatë tjetër përsëri nga Partia, nga një person tjetër. Tani shtrohet çështja për atë që të thashë unë e që e kisha nga sigurimi: Ti ke të drejtë t’i thuash Feçorrit kush e ka parë këtë gjë? Filan person, do të të thotë ai, një funksionar i ministrisë. Atëherë ti, po të vazhdosh kështu, do ta thërrasësh funksionarin e ta pyesësh: e pe apo nuk e pe këtë gjë?

Shoku Mehmet Shehu: Jo unë nuk e kam pyetur Feçorrin për një gjë të tillë.

Shoku Enver Hoxha: Jo, jo, nuk e ke pyetur, po ta zëmë sikur të veproje kështu, Meqenëse pyete Nazarin, përse të mos pyesësh edhe “Selmanin”? Ti je anëtar i Byrosë Politike dhe e ke këtë të drejtë, por ama ne kemi besim në organizmat tona, në kuadrot tona. Ato që na thonë ata, nuk na çojnë në rrugë të gabuar, në të kundërtën, ndihmojnë që të ndreqemi.

Shoku Mehmet Shehu: Unë konsiderova se nuk bëra ndonjë gabim që pyeta Nazarin, që është edhe anëtar i Komitetit Qendror. Nëse kishte edhe ndonjë gjë tjetër, veç atyre gjërave që thuheshin në informacion, nuk e di, po vajzën unë e kritikova duke u mbështetur plotësisht në informacionin që më dha shoku Simon.

Shoku Simon Stefani: Shoku Mehmet unë kam të drejtë të nxjerr konkluzionin se ju nuk kishit besim tek ai informacion që të dërgova dhe jo vetëm kaq, por edhe në përgjigjen që më dhatë, ju filluat i rrëzuat një pjesë të të dhënave, duke thënë se nuk kishte njeri atje kur…domethënë dëgjuat nusen e nuk dëgjuat komunistin.

Shoku Mehmet Shehu: Unë ju thashë si më foli vajza.

Shoku Simon Stefani: Mua nuk me duhej si tha vajza, mua më duheshin ato që tha komunisti për vajzën. Po në fund të fundit si do t’ju thoshte juve ajo? Juve ju ka vënë vetë në dijeni shoku Enver dhe megjithatë ajo përsëri ka vazhduar rrugën e saj. Të nesërmen në mëngjes, kur shkonte në shkollë, makina e francezit i qëndronte një metër larg, ecte paralel me të, ndërsa ajo ecte më këmbë, me avash ecte edhe makina me francezin brenda, me atë me mustaqe.

Shoku Mehmet Shehu: Mundet që francezi t’i jetë qepur me gjithë mend.

Shoku Enver Hoxha: Ai mund të jetë edhe një provokator.

Shoku Mehmet Shehu: Po, ndonjë fakt që ajo të ketë pasur kontakt me francezin unë nuk kam pasur deri tash. Në qoftë se do të vërtetohet një gjë e këtillë, atëherë do të marr masat që janë për të marrë.

Shoku Pali Miska: Jo, shoku Mehmet, çështja ka të bëjë me atë që nga ana juaj duhen vlerësuar ato ç’ka informojnë të tjerët. Ju vetë e thoni se “nuk i kam vlerësuar, duhet të jem i thjeshtë, duhet të mos jem kështu e ashtu”. Po tashti kur informacioni të vjen nga Komiteti Qendror dhe atë e bën një komunist, i cili ka marrë guximin dhe i lumtë për këtë, kjo duhet vlerësuar nga ana jote.

Shoku Enver Hoxha: Realizoje mirë çështjen. Ne nuk gjykojmë vajzën. Ne gjykojmë gabimet e tua dhe çështjen si i kupton ti këto gabime. Nuk e gjykojmë ka pasur apo s’ka pasur ajo kontakte me francezin. Po të ketë fakte për këtë, do të t’i japim, po me sa di unë deri tani, përveç të fërkuarit të faqeve të kalamanit, nuk ka gjë tjetër, por edhe që të rrinë ata karshi me njëri-tjetrin, të shikohen e të buzëqeshin, edhe këto janë fakte. Këto fakte nuk mund të mos thonë asgjëkafshë.

Shoku Adil Çarçani: Edhe fare për t’i hedhur poshtë këto, nuk janë. Neve duhet të na tërheqin vëmendjen këto sinjale, se pastaj po të trashen, bëhen më të ndërlikuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat