Çfarë të ardhme i ofron një lider "non grata" partisë? Berisha: Kur DASH të nxjerrë 1 provë të vetme pranoj çdo vendim

Shqipëria

Çfarë të ardhme i ofron një lider "non grata" partisë? Berisha: Kur DASH të nxjerrë 1 provë të vetme pranoj çdo vendim

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 19:49
Sali Berisha

Zoti Berisha tashmë e ka deklaruar hapur se mendon rikthimin në krye të PD-së pavarësisht se 8 vite më parë deklaroi se nuk do të kthehej më.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i pyetur se çfarë të ardhme mund t'i ofrojë një force politike, drejtuesi i së cilës është i shpallur “non grata”, zoti Berisha tha se në momentin që do të ketë qoftë edhe një provë të vetme kundër tij do pranojë çdo vendim.

Por për sa kohë vendimi i shpalljes "non grata" është për motive politike ajo forcë sipas zotit Berisha i bën një  nder të madh vendit sepse qëndron në  anën e të vërtetës.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju keni thirrur një kuvend të demokratëve më 11 Dhjetor. Jeni shprehur se kjo nismë synon rikthimin tuaj për drejtimin e PD. Çfarë të ardhme i ofrohet një force politike, drejtuesi i së cilës është i shpallur “non grata”, që ka pra një llogari të hapur me Shtetet e Bashkuara, partnerin kryesor të Shqipërisë?

Sali Berisha: Një force politike që ka liderin të përcaktuar non grata nga Shtetet e Bashkuara bazuar në prova, fakte dhe dokumente të vërteta ka problemet më serioze, nëse ajo ka një lider të tillë. Por një forcë politike, që ka të dezinjuar kryetarin e saj krejtësisht për motive politike non grata, pra, pa asnjë provë, fakt dhe dokument, ajo forcë politike i bën një shërbim të madh vendit të saj dhe të vërtetës universale në tërësi, sepse qëndron në anën e të vërtetës.

Që në momentin kur Departamenti i Shtetit të nxjerrë një provë të vetme, në të cilën të faktojë se Sali Berisha ka keqpërdorur fondet publike, ka ndërhyrë në procese publike për pasurimin e tij, të bashkëshortes së tij, fëmijëve të tij dhe të aleatëve, ka përdorur retorikën për të mbrojtur veten e tij, fëmijët e tij dhe aleatët nga hetime anti-korrupsion, unë i pranoj që të gjitha të mirëqena, të marrë çdo vendim. Por nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston kurrë një provë e vetme e keqpërdorimit, por përkundrazi ka marrë lavdërimet më të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka ekzistuar kurrë një proces kundër familjarëve të mi, ose Sali Berishës, që të mund të përdoret në retorikën për mbrojtje.

Nuk ka ekzistuar kurrë një proces publik që unë të kem ndërhyrë për pasurimin tim apo të familjarëve të mi. Çfarë është kjo? Kjo është mirrëfilltas e bazuar në lobimin e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, të cilin unë e kam dënuar që në fillim. Sali Berisha është i vetmi person në planet që është ndëshkuar me non grata tetë vite pas ka hequr dorë nga çdolloj lidershipi dhe çdo funksion ekzekutiv. Ai nuk ka firmosur, përveç borderosë së tij, në asnjë dokument tjetër zyrtar të këtij shteti në tetë vite. Sali Berisha është rast unik, sepse ndëshkohet me këtë masë në një kohë kur kurrë në jetën e tij 53 vite, përfshirë edhe vitet e diktaturës, nuk ka patur një akuzë të vetme, asnjë padi të vetme nga një qytetar apo institucion për korrupsion apo keqpërdorim fondesh.

Sali Berisha është i vetmi person, i cili ndëshkohet tre javë pasi partia e tij humbi zgjedhjet, me qëllimin makabër për të mposhtur tërësisht nga Edi Rama opozitën shqiptare. Cilido që gjen një rast të njëjtë me Sali Berishën unë do ia pranoj. Por ky rast nuk ekziston. Ky u bë unik vetëm e vetëm pse unë që në vitin 2017 e në vazhdim kam kërkuar shpalljen non grata të multimiliarderit Xhorxh Soros. Dhe unë prapë kërkoj dhe do të kërkoj që Kongresi i SHBA-ve dhe Parlamenti Europian të bëjnë ligj për të ndaluar veprimtarinë e tij politike në demokracitë e brishta. Imagjino për një moment sikur Xhef Besos apo Tim Kuk apo Elon Mask të vendosin të përdorin miliardat e tyre për të blerë demokracitë, nuk do të ngelej harta e demokracive veçse një grusht vendesh të dikurshme, ndërsa demokracitë e reja do të shuheshin nga këto veprime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat