Emërimi i një shqiptari në krye të Arqidioqezës Tiranë-Durrës, vijnë reagimet nga Meta, Rama, Basha

Shqipëria

Emërimi i një shqiptari në krye të Arqidioqezës Tiranë-Durrës, vijnë reagimet nga Meta, Rama, Basha

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 16:08
Arjan Dodaj

Papa Françesku ka emëruar një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj. Ndërkohë që këtij lajmi i janë gëzuar krerët shtetëror dhe opozita në Shqipëri.

Emërimi i Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Tiranë-Durrës po vlerësohet të jetë lajm i mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta ka shkruar në murin e tij në Facebook se ka mirëpritur emërimin e Imzot Arjan Dodaj nga Papa Françesku, derisa ka shprehur bindjen e tij të plotë se arqipeshkvi i ri do të kryejë me dedikim punën e tij.

“E mirëprita me gëzim lajmin e emërimit nga Papa Françesku të Imzot Arjan Dodaj, në detyrën e rëndësishme, Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës.

Me urimin e përzemërt për punë të mbarë, shpreh bindjen e plotë se Imzot Arjan Dodaj, me dedikimin dhe shërbimin e njohur dhe të vlerësuar ndaj besimtarëve katolikë dhe popullit shqiptar, do ta përmbushë me sukses misionin e ngarkuar me detyrën e re. ”, ka shkruar Meta.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka uruar publikisht arqipeshkvin Dodaj.

“️ Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës

Urime ARJAN DODAJ dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë nuk ka munduar as reagimi i kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, sipas të cilit, emërimi Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nga Papa Françesku, është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për besimtarët katolikë.

“Emërimi i Imzot Arjan Dodaj, si Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nga Papa Françesku, është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për besimtarët katolikë. Jam i bindur se Imzot Dodaj do ta çojë përpara detyrën e tij të shenjtë me të njëjtin përkushtim që e ka dalluar rrugëtimin e tij në krah të të pamundurve e të mënjanuarve të shoqërisë sonë. Duke shprehur mirënjohjen time më të thellë për punën e shkëlqyer të kryer nga paraardhësi i tij, Imzot George Frendo, i uroj mbarësi Imzot Arjan Dodaj në shërbesën e tij të re, për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në Shqipëri ”, ka shkruar Basha në llogarinë e tij në Facebook.

Meshtari i mirënjohur, Don Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali, për tu vendosur në Cuneo, ku nisi të punojë. Aspiratën për tu bërë meshtar e realizoi duke studiuar filozofi dhe teologji në Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit e shuguroi si meshtar në 11 maj 2003 e më pas Arjan Dodaj shërbeu në Dioqezën e Romës.

Ndërsa në vitin 2007 nisi të punojë si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat