Buxheti i Bujqësisë/ Krifca: 600 milionë lekë shtesë në mbështetje direkte për blegtorët dhe bletarët për vitin 2021

Shqipëria

Buxheti i Bujqësisë/ Krifca: 600 milionë lekë shtesë në mbështetje direkte për blegtorët dhe bletarët për vitin 2021

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 13:00
Pamje nga takimi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, zhvilloi një takim me fermerë, me të cilët ndau edhe lajmin për rritjen e fondit të mbështetjes direkte për fermerët, për vitin 2021.

“Në një dialog të vazhdueshëm me fermerët, blegtorët dhe agropërpunuesit, dhe duke parë nevojën për të adresuar problematika dhe hapësirën e fondeve buxhetore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në mbledhjen e fundit të qeverisë miratuam rritjen e fondit të mbështetjes direkte për vitin 2021.”, tha Krifca në fjalën e saj me fermerët.

Krifca komunikoi se janë rialokuar fondet e pashfrytëzuara të këtij viti dhe do të përdoren tërësisht në shërbimin e fermerëve si pagesë direkte. Ministrja tha se në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua rritja me 600 milionë lekë e fondit për pagesat direkte për fermerët, për vitin 2021.

Krifca në fjalën e saj shtoi se, ky fond do të disbursohet menjëherë dhe do të mbeshtesë 3,500 fermerë, me pagesa direkte në ferma blegtorale dhe në bletari. Ministrja tha se më ekzaktësisht janë 2200 blegtorë dhe 1331 bletarë ata të cilët do të përfitojnë direkt.

“Më lejoni t’ju garantoj se, jemi maksimalisht të angazhuar për t’ju përgjigjur kërkesave dhe nevojave tuaja. Me këtë frymë, për tu gjendur pranë jush në çdo hap, po ndërtojmë dhe mekanizmin e mbështetjes në buxhetin e vitit 2022.”, vijoi Krifca.

Gjithashtu, Krifca tha se është shumë i rëndësishëm bashkimi i forcave për të garantuar zhvillimin.

Ministrja i siguroi fermerët se do të jetë partnerja e tyre në synimin për të rritur ofertën e prodhimit, për të koordinuar kulturat e duhura bujqësore për eksport, për të adoptuar teknologjitë e duhura, si dhe për të konsoliduar protokollet moderne të prodhimit.

“Jemi bashkë për një bujqësi shqiptare, që i përgjigjet tregut dhe zhvillon zonat rurale.”, tha Krifca në përmbyllje të fjalës së saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat