Prezantohet Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021-2030, Manastirliu: Synojmë financim mbi 70% të shpenzimeve për shëndetin

Shqipëria

Prezantohet Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021-2030, Manastirliu: Synojmë financim mbi 70% të shpenzimeve për shëndetin

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 13:34
Ogerta Manastirliu

Mbulimi shëndetësor universal është në fokus të strategjisë për Strategjisë së Shëndetësisë 2021-2030, tha sot Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Ky dokument strategjik reflekton programin tonë qeverisës ‘Shqipëria ‘20-‘30’, duke e vlerësuar shëndetin si pjesë të politikave ndërsektoriale. Në këto 20 muaj beteje me Covid 19 kemi nxjerrë shumë mësime përsa i pëket sistemit të emergjencave, të përgjigjes ndaj rrezikut të pandemisë, të gatishmërisë, të fleksibilitetit që duhet të kenë sistemet shëndetësore për përshtatjen ndaj fatkeqësive natyrore, për mundësinë e integrimit të shërbimeve socio-shëndetësore, të cilat janë reflektuar në këtë strategji 10 vjeçare“, tha Manastirliu, në prezantimin e planit.

Objektivi, tha ministrja, është që të arrihet në një financim publik mbi 70% e shpenzimeve për shëndetin.

“Ndër komponentët më të rëndësishëm të strategjisë është investimi përgjatë gjithë ciklit të jetës dhe mbulimi shëndetësor universal. Nga ky objektiv madhor lind edhe vetë qëllimi i politikës, që është rritja e financimit publik, ulja e shpenzimeve nga xhepi. Objektivi ynë është që të financojmë mbi 70% të shpenzimeve për shëndetin nga financimi publik“, tha Manastirliu.

Sipas Manatirliut, deri në 2025, pagat e mjekëve do të rriten me 40% pagat. “Duke filluar nga 2022 e kështu ne do të vijojmë të projektojmë edhe në këtë strategji, rritjen e pagave dhe incentivave financiare për mjekët dhe infermierët, sigurisht duke synuar mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim“, tha Manastirliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat