Nis referendumi i thirrur nga Sali Berisha, demokratët në Sarandë votojnë në kushte të pazakonta

Shqipëria

Nis referendumi i thirrur nga Sali Berisha, demokratët në Sarandë votojnë në kushte të pazakonta

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Ka nisur që prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm votimi për referendumin e propozuar nga Komisioni i Rithemelimit në PD për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Votimi do të zhvillohet në të gjitha degët e Partisë Demokratike në vend, në një atmosferë ku mbështetësit e Sali Berishës në disa raste kanë denoncuar ndërrimin e bravave të dyerve të selisë së Partisë Demokratike.

Në këto kushte, votimi në disa degë të Partisë Demokratike po zhvillohet në ambiente jo të zakonshme.

I tillë është rasti i degës së PD-së në Sarandë, ku duke qenë se dera e selisë së Partisë Demokratike qëndron e mbyllur, votimi po kryhet jashtë në shkallaret e qytetit bregdetar.

Siç shihet dhe nga pamjet, komisionerët kanë ngritur një qendër votimi në rrugë, ku janë pajisur dhe me një ngrohëse me gaz për të përballuar kushtet atmosferike.

Ndërkohë që në Durrës, janë rreth 2700 anëtarë të kësaj partie që janë ftuar të marrin pjesë në votimin e së shtunës, i konsideruar si një referendum për shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Votimi në qytetin e Durrësit do të bëhet në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të PD-së në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë Bashkisë Sukth.

Ndërkohë, më shumë se 400 anëtarë të PD-së Shijak janë ftuar të shprehin vullnetin e tyre në qendrën e votimit që ndodhet në shtabin qendror të PD-së te “4 rrugët e Shijakut”. Nënkryetari i PD-së Durrës, Dritan Burgija, bën të ditur se mbi 2/3 e kryetarëve të grup seksioneve janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.

Në Kuvendin e datës 11 dhjetor, pjesa më e madhe e delegatëve të Durrësit ishin të pranishëm, mes të cilëve deputetë dhe ish-deputetë si Oerd Bylykbashi, Igli Cara, Fatbardha Kadiu, Gazmend Oketa, 3 nga nënkryetarët e degës Dritan Burgija, Arlind Boshku, Neritan Golja, krerët e departamenteve dhe grupseksioneve etj.

Ndërkohë, kanë shprehur mbështetjen e tyre publike për kreun e PD-së, Lulzim Basha, kryetari i komanduar Luan Hoti, nënkryetarët Pëllumb Berisha dhe Gaz Luku, deputeti Ferdinand Xhaferaj etj.

Në Bashkinë e Korçës, ka një qendër votimi, e cila është vendosur tek ish-Kinema Millenium. Anëtarësia e demokratike për Bashkinë e Korçës, përfshirë edhe atë të Pustecit, përbëhet nga rreth 3600 anëtarë.

Ndërkohë, në qytetin e Pogradecit, qendra e votimit është vendosur te Kinemaja e qytetit, ku do të votojnë rreth 900 anëtarë. Zona e Kolonjës do të ketë dy qendra votimi, përkatësisht një në Leskovik dhe një në Ersekë. Janë rreth 700 anëtarë të Partisë Demokratike në këtë zonë që kanë të drejtën e votës për referendumin e thirrur nga Sali Berisha.

Nga ana tjetër, Devolli ka tri qendra votimi, një në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në qytet dhe dy të tjera në fshatrat Miras dhe Vranisht. Në listën e muajit korrik të këtij viti, kjo degë kishte rreth 998 anëtarë.

Bashkia e Maliqit, ka dy qendra votimi përkatësisht një në qytezë dhe një tjetër në fshatin Pojan, ku të drejtën e votës e kanë rreth 860 anëtarë.

Numri në total i anëtarëve në të gjithë qarkun e Korçës, është rreth 7058.

Deputeti Edmond Spaho tha se selitë nuk janë të përshtatshme për votimet, duke kërkuar ambiente me hapësira më të mëdha.

Në Qarkun e Gjirokastrës, anëtarët e Partisë Demokratike do të mund të votojnë në selitë përkatëse të partive

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat