Biznes privat në minaren e xhamisë në Dibër, hoxha: Nuk më pyesin mua, vendos kryetari i fshatit

Shqipëria

Biznes privat në minaren e xhamisë në Dibër, hoxha: Nuk më pyesin mua, vendos kryetari i fshatit

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Një denoncim i pazakontë vjen nga fshati Sohodoll i Dibrës, ku xhamia e këtij fshati shfrytëzohet nga biznesi privat, i cili ka vendosur një antenë të një televizioni kabllor dhe internet. Kanë qenë besimtarët ata që kanë tentuar t’i heqin këto pajisje nga minarja, por nuk janë lejuar nga kryeplaku i fshatit, i cili ka deklaruar se lejen për shfrytëzimin e minares nga biznesi privat e ka dhënë ai

Xhamia e fshatit Sohodoll në Dibër po shfrytëzohet nga biznesi privat, duke fyer rëndë besimtarët.

Ky është shqetësimi i dhjetëra besimtarëve myslimanë që falen në këtë xhami.

Në videot e mbërritura në "Ora Investigim" shihet qartë se në minaren e xhamisë është vendosur antena e një televizioni kabllor dhe internet.

Sipas denoncimit të mbërritur kanë qenë besimtarët ata që kanë tentuar t’i heqin këto pajisje nga minarja, por kryeplaku i fshatit ka ndërhyrë duke deklaruar se lejen për shfrytëzimin e minares nga biznesi privat e ka dhënë ai.

Gazetarja e TV Ora ka kontaktuar në telefon edhe me hoxhën e kësaj xhamie, i cili fillimisht pranon se nga biznesi merr qera.

"Marrim një farë qeraje."

I pyetur se pse nuk respektohet dëshira e besimtarëve që nga minarja të largohen antenat, hoxha deklaron se atë nuk e pyet askush dhe vendimet i merr kryetari i fshatit.

"Këtu organizatori është kryetari i fshatit, komisioni, këshilli. Për mua në daç ta heqin, në daç ta vënë. Kush më pyet mua, nuk kam asnjë fuqi."

Teksa hoxha deklaron se për të ka rëndësi çfarë ndodh brenda xhamisë jo në minaren e saj, besimtaret ndihen të fyer që një vend lutjeje dhe besimi të shfrytëzohet nga biznesi privat.

Për rastin është "Ora Investigim" ka vënë në dijeni dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Përfaqësues të tij janë shprehur se nuk janë në dijeni të rastit por do të kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat