Pa datë skadence dhe në kushte skandaloze higjeno-sanitare, AKU sekuestron një sasi të madhe mishi dhe vezësh

Shqipëria

Pa datë skadence dhe në kushte skandaloze higjeno-sanitare, AKU sekuestron një sasi të madhe mishi dhe vezësh

Më: 17 janar 2022 Në ora: 20:54
Foto ilustrim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë ditën e sotme një aksion në juglindje të vendit, ku janë zbuluar dy magazina të mbajtjes së produkteve të mishit dhe vezëve në kushte jo të përshtatshme higjeno-sanitare.

Inspektimet e bëra nga AKU erdhën si rrjedhojë e denoncimeve të bëra nga qytetarët përmes telefonit.

Grupi inspektues zbuloi një sasi prej 14’400 kokrra vezësh të paketuara dhe të pavulosura, me mungesë datë skadence dhe pa gjurmueshmëri. Gjithashtu në ambientet frigoriferike u konstatuan në kushte të papërshtatshme 711.5 kg mish, pa dokumentacionin shoqërues dhe 100 kg galetë pa etiketë identifikuese.

AKU bëri pezullimin e aktivitetit të biznesit si dhe sekuestrimin e sasisë së produkteve ushqimore të mbajtura në kushte jo të përshtatshme.

Njoftimi i plotë i AKU:

AKU falenderon qytetarin për bashkëpunimin dhe merr masa urgjente

Një denoncim në numrin e gjelbër (0800 75 75) të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u bë lidhur me operatorin e biznesit ushqimor me inicial “D.” që operon në juglindje të vendit.

AKU urdhëroi plan-veprimi lidhur me rastin dhe u krye inspektim së bashku me Drejtorinë Rajonale të AKU-së.

Inspektimi fizik u krye në dy adresa, ku subjekti ushtronte aktivitetin, aty ku kryhej procesi i prodhimit të produkteve ushqimore me bazë mishi, ambalazhimi i produkteve djathë, peshk, pjesë mishi, në ambientet frigoriferike dhe ambientin e tregtimit.

Gjatë inspektimit u konstatuan produkte të gatshme për hedhje në treg:

Produkte me bazë mishi me etiketa të panotifikuara dhe që nuk kishin të deklaruar në etiketë përbërësit, disa prej të cilëve alergenë kryesorë ushqimorë.

U mor masë administrative gjobë për sa më lart dhe për mosplotësimin periodik të regjistrave të HACCP.

Për produktet e bllokuara po dërgohen mostra në ISUV.
Në adresën, me tre ambiente të reja magazinuese që u identifikua referuar të dhënave nga denoncuesi, u konstatuan gjatë kontrollit fizik:

Aty ku mbaheshin produktet ushqimore nuk plotësoheshin kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për këtë veprimtari.

Magazina ishte e pamirëmbajtur dhe brenda saj u konstatua një sasi prej 14’400 kokrra vezësh të paketuara dhe të pavulosura, me mungesë datë skadence dhe pa gjurmueshmëri.
Në ambientet frigoriferike, në kushte të papranueshme u konstatuan 711.5 kg mish, pa dokumentacionin shoqërues, 100 kg galetë pa etiketë identifikuese.

Grupi inspektues i AKU-së mori masën urgjente të ndërprerjes së aktivitetit të këtij subjekti dhe bllokimin e produkteve sa më lart, me destinacion përfundimtar asgjësimin e tyre, masë administrative gjobë për kushtet higjieno-sanitare dhe masë administrative gjobë për mungesën e gjurmueshmërisë.

Procedura e inspektimit vazhdon duke ndjekur nga afër asgjësimin e produkteve të bllokuara për asgjësim. Me daljen e përgjigjes së analizave nga ISUV do vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

Gjithashtu AKU po përgatit materialin për kallëzim penal të kësaj veprimtarie.

Falënderojmë dhe njëherë çdo qytetar që i vjen në ndihmë sigurisë ushqimore në numrin e gjelbër 08007575 dhe adresën email [email protected].

Bashkë për sigurinë ushqimore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat