"Kanabisi mjekësor nuk shëron", Rama: Ka efekte kurative. Mjekët: Lehtëson dhimbjet por nuk kuron

Shqipëria

"Kanabisi mjekësor nuk shëron", Rama: Ka efekte kurative. Mjekët: Lehtëson dhimbjet por nuk kuron

Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Kryeministri Edi Rama thotë se ka prova shkencore që kanabisi mjekësor ka efekte kurative ndaj përmes nismës “Këshillimi Kombëtar” shtron për shqiptarët pyetjen nëse duhet lejuar kultivimi dhe përpunimi i tij.

Por mjekët shprehen se kanabisi mjekësor nuk shëron.

Ata shpjegojnë se preparatet e marijuanës ndihmojnë pacientët që të përballojnë më lehtë sëmundjen nga e cila vuajnë.

"Nuk është se këto preparate kanë tendenca të shërojnë patologjinë, pra këto më shumë kanë një tendencë një përmirësim në mënyrë modeste të simptomatologjisë të sëmundjes bazë," tha mjeku.

Andrin Tahiri, Shef i Shërbimit Toksikologjik në QSUT thotë se marijuana mjekësore mund të përdoret te personat e prekur nga kanceri apo të infektuar me Hiv/Aids.

"Përdoret tek të sëmurët të cilët janë në kimioterapi, mund të përdoret tek pacientët ose tek të rriturit të cilët kanë dhimbje kronike, tek epilepsitë të cilët janë rezistentë ndaj mjekimit," shtoi Tahiri.

Vaji i hashashit apo preparatet e tjera janë ilegale në Shqipëri por pacientët kanë mundur t`i sigurojnë ato lehtësisht në treg të zi.

"Kanë pasur tendenca për trajtimin e vajit të hashashit, por me një ndryshim. Vaji i hashashit në Shqipëri që mund të qarkullojë është ilegal dhe mbase nuk e ka atë cilësi dhe mënyrë teknologjie të përgatitjes dhe është një ndryshim shumë i madh," shtoi mjeku.

Mjekët thonë se do të ishte e udhës që në diskutimin për lejimin ose jo të kultivimit të kanabisit mjekësor të përfshiheshin edhe ekspertët.

"Një grup mjekësh të cilët të bëjnë një grumbullim të të dhënave," tha Tahiri.

Vitet e fundit është rritur numri i të rinjve që përdorin marijuanë ndaj mjeku Tahiri këshillon që të tregohet kujdes me nismat që synojnë legalizimin e lëndëve narkotike qoftë edhe për qëllime mjekësore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat