“Na është shkatërruar gjithçka, nusja me fëmijët kanë ikur”- Abuzimi i minorenes, prokurori i çështjes kallëzohet në SPAK

Shqipëria

“Na është shkatërruar gjithçka, nusja me fëmijët kanë ikur”- Abuzimi i minorenes, prokurori i çështjes kallëzohet në SPAK

Më: 10 mars 2022 Në ora: 09:29
Foto ilustrim

Hetimet në lidhje me përdhunimin e 15-vjeçares në Mirditë nuk janë kryer siç duhet dhe prokurori ka shkelur ligjin.

Ky është pretendimi i familjareve të 5 personave të akuzuar. Babai i Nik Lleshit ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, prokurorin e çështjes Ylli Pjetërnikaj për “Shpërdorim detyre”.

Mark Lleshi pretendon se prokurori me veprimet dhe mosveprimet ka ndikuar në procesin penal ku është akuzuar djali i tij.

LETRA:

“Jam banor i lagjes ‘Mollaj’ në fshatin Tarazh, Mirditë. Komisariati i Policisë Mirditë ka arrestuar djalin tim, Nik Lleshi, së bashku me 4 persona të tjerë, duke i akuzuar për një vepër penale, e cila nuk është kryer nga djali im. Oficeri i policisë Thoma Zisi ka kryer të gjitha veprimet në kundërshtim me ligjin, duke nisur që nga arrestimi në flagrancë, por Gjykata e Apelit e ka shpallur të paligjshëm arrestimin në flagrancë.

Është marrë në pyetje vajza e mitur, duke u udhëzuar me pyetjet nga ana e oficerit të Policisë, si dhe janë marrë për bazë deklarimet e saj, duke i drejtuar pyetje që vajza vetëm sa i ka pohuar ato. Kemi kërkuar që të kryhen hetime edhe në lidhje me prejardhjen e saj familjare, si dhe kam kërkuar që të merren në pyetje mësuesit e saj, por nga bisedat dhe interesimi ynë te mësuesit, vërteton se nuk ka pasur mungesa në shkollë.

Prokurori duhet t’i drejtonte hetimet në mënyre që të zbardhet e vërteta, pasi unë dhe familja e ime, përveç që kemi djalin në burg, na është shkatërruar gjithçka që kemi pasur, si dhe na është dëmtuar rëndë reputacioni familjar.

Pas interesimit të vazhdueshëm tek avokati i djalit tim, më ka konfirmuar që prova e vetme që ka prokuroria është intervista që ka dhënë natën kallëzuesja dhe nëna e saj. Nuk jam në dijeni se cili është përfitimi dhe qëllimi i prokurorit, por di se kam marrë pjesë në të gjitha seancat dhe shumica prej tyre nuk janë zhvilluar për shkak të mangësive dhe mungesave të prokurorit.

Prokurori duhet të jetë garant i të drejtave të qytetarëve, por jo të mbajë në burg padrejtë sisht djalin tim. Ndodhemi në kushtet që prej arrestimit të djalit tim Nik Lleshi e deri më sot nuk është takuar me fëmijët, të moshës 8 dhe 6 vjeç.

Kërkoj nga ju të hetohet në lidhje me veprimet dhe mosveprimet, si dhe shkeljet që prokurori Ylli Pjetërnikaj ka bërë gjatë hetimit të kësaj dosje. Djalit tim dhe të tjerëve iu ka bërë gjyqin media dhe nuk ka prova që vërtetojnë se djali im ka kryer atë vepër penale për të cilën prokurori ngre akuzën, sikur e ka kryer me dhunë dhe në bashkëpunim.

Nga kjo akuzë e pabazë më është shkatërruar familja, duke u larguar nusja e djalit, bashkë me dy fëmijët. Kërkoj nga ju të thirrem e t’i shpreh me gojë të gjitha ato që ka bërë prokurori Ylli Pjetërnikaj”, thuhet në kallëzimin që i është dërguar dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.

DOSJA

Çështja penale në lidhje me përdhunimin e 15- vjeçares ende nuk ka kaluar për gjykim themeli, pasi në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, Gjykata e ktheu çështjen për plotësim hetimesh.

Pas dy muajsh, organi i akuzës e ka ridërguar çështjen për gjykim, por ndonëse janë zhvilluar dy seanca gjyqësore, ende nuk është marrë asnjë vendim. Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17-vjeçari me iniciale A. Gj akuzohen për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç të kryer në bashkëpunim.

Ngjarja e denoncuar në maj të vitit 2021 nga 15-vjeçarja nga Mirdita tronditi opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të vendit, por familjarët e të akuzuarve pretendojnë se ngjarja është e sajuar nga familja e vajzës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat