Krimi shqiptar në Itali, prokurori italian i antimafies jep alarmin

Shqipëria

Krimi shqiptar në Itali, prokurori italian i antimafies jep alarmin

Më: 20 prill 2022 Në ora: 21:00
Nicola Gratteri

Prokurori i Antimafies Italiane, Nicola Gratteri ka dhënë një intervistë televizive për situatën e mafies shqiptare në Itali.

Prokurori ka komentuar raportin e fundit të Antimafias Italiane, sinjalet më shqetësuese të aktivitetit kriminal të mafies në fokusin e zhvillimeve ndërkombëtare si dhe rolin e mafies shqiptare në botën e krimit të organizuar evuropian e botëror.

Gratteri shprehet i shqetësuar se pas luftës në Ukrainë, armët në zotërim të civilëve do të blihen nga mafiet, ndërsa për krimin e organizuar shqiptar thotë se është gjithnjë e më alarmues.

Prokuror, sapo ka dalë raporti i fundit i Antimafias Italiane. Cili është preokupimi e alarmi i të dhënave të kësaj analize gjashtë mujore në fokusin dhe të zhvillimeve të fundit ndërkombëtare?

Nicola Gratteri: Sipas raportit të fundit të Antimafias, sipas të dhënave specifike dhe të analizuara nga ne, në Itali kemi një Ndrangheta mjaft të fortë e që vazhdon të jetë lider në tregtimin e kokainës. Kanë një sasi të madhe parash në duar e me anë të tyre arrijnë të blejnë gjithçka që mund të blihet. Këtij kuadri i shtohen dy vështirësi të mëdha për ne për të luftuar mafiet e në veçanti Ndrangheta. E para është Covid që godit gjithë botën e që ka gjeneruar një krizë të madhe ekonomike duke vënë në vështirësi sidomos sektorin e ristoracionit, turizmin, hoteleritë. Sipërmarrjet pa një bazë të fortë ekonomike u detyruan t’i shisnin aktivitetet e tyre më çmim mjaft të ulët.

E mafiet që kanë një disponueshmëri të madhe parash, arrijnë t’i blejnë ato. E në të njëjtën kohë mafiet po përgatiten të gllabërojnë paratë e fondeve të Bashkimit Europian. Si pasojë e krizës shkaktuar nga Covid, në Itali po mbërrijnë paratë e aprovuara nga Institucionet Europiane për të ndihmuar vendet anëtare, e mafiet po përgatiten se si të mbërrijnë e të kapin paratë e këtyre fondeve. Jo vetëm për të fituar tenderat publikë por dhe në përfshihen në aktivitete të specializuara bonifikuese, apo duke ofruar punë krahë në të zezë me kosto të ulët. E të gjitha këto përdoren për të shtuar pasurinë e mafies.

Vështirësia e dytë që kemi aktualisht në luftën kundër mafieve e në veçanti kundër Ndranghetas, është lufta në Ukrainë, që është një mundësi e artë për mafien. Po pse e them këtë? Jemi të shqetësuar se pas përfundimit të luftës, armët do t’u mbeten civilëve të thjeshtë ukrainas, e mes tyre dhe artileri e rëndë, armë të sofistikuara. Dhe siç ndodhi gjatë luftës në Jugosllavi, pas përfundimit të saj, mjaft familje kishin 5 o 6 kallashnikov në shtëpi, dhjetëra kilogramë eksplozivi që i ruajtën duke menduar se mund të duhen në të ardhmen. Disa i ruajnë akoma, e disa të tjerë ia shitën këto armë, Ndranghetas, mafies puglieze Sacra Corona Unita, E pra këto armë armatosën mafiozët dhe u përdorën për të luftuar mes tyre apo për të favorizuar aktivitetet e paligjshme, E njëjta gjë jemi të shqetësuar se mund të ndodh dhe në fund të luftës mes Ukrainës e Rusisë. Pra në këtë këndvështrim kërkojmë më shumë vëmendje e duhet të jemi më të preokupuar.

Një kapitull i veçantë i këtij raporti është mafia e huaj që hapet me mafien shqiptare. Në intervistën e fundit të gati një viti më parë, ju deklaruat se mafia shqiptare është mafia e së ardhmes? A vazhdon të jetë kështu e çfarë preokupimesh shfaq analiza e fundit e Antimafies?

Nicola Gratteri: Unë ju them se mafia shqiptare po rritet shumë në nivel ndërkombëtar. Kur flasim për mafien shqiptare nuk duhet të mendojmë si 15 ose 10 vite më parë kur sulmonin për të grabitur vilat e më të pasurve italianë në Toskana, Piemonte, Lombardi, Veneto o kudo që të mundin. Kur unë ju flas për mafien shqiptar, ju them se janë organizata kriminale mjaft të forta, që nisen mjaft të forta, mjaft të pasura nga Shqipëria, të afirmuar mirë në planin prestigjoz të fuqisë. Gjej të evidentuar mirë mafien shqiptare në dy shtete, në Kolumbi, e në Holandë.

Në Kolumbi mafia shqiptare blen vetë e në rrugë të drejtpërdrejtë kokainën, ndërsa në Holandë është forcuar shumë pasi në këtë shtet pasi është një vend ku lufta kundër mafies është mjaft e ulët, ka një sistem burgjesh mjaft garantues. Në Holandë edhe nëse kapesh me 10 kg kokainë, rreziku i burgut është maksimumi 2 vite, pra pothuajse asgjë. Sot në Holandë gjen të aktivizuar mirë tre mafia; mafia kalabreze Ndrangheta, mafia shqiptare dhe mafia afrikano-veriore, kryesisht e përbërë nga tunizianë emigrantë. Më në fund prej një vit e më shumë autoritetet holandeze kanë marrë koshiencën për çfarë po ndodh, e kanë nisur bashkëpunimin me ne. Në Holandë është vrarë një gazetar, një bashkëpunëtor i drejtësisë e një avokat,e këto janë sinjale të forta, të rënda që lënë të kuptojën se këto tre mafie nuk janë kalimtare në Holandë, por kanë hedhur rrënjë e janë aty jo vetëm për të bërë biznes, por janë të strukturuara mirë.

Nga analizat e informacionet që ne kemi, duke i konfrontuar me kolegë të tjerë të forcave të rendit në botë, mafia shqiptare po fuqizohet gjithnjë e më shumë në Amerikën Latine.

Në vende të vogla e në zhvillim si Shqipëria, ku fenomeni mafia trajtohet si një krim i zakonshëm, cilat janë sinjalet për të kuptuar aktivitetin mafioz të krimit në jetën e përditshme, ekonomike, institucionale e drejtuese të një vendi?

Nicola Grattteri: Pasuria e papritur është sinjali i parë, Njerëz me punë të zakonshme që kanë një nivel jete mjaft të lartë. Sipërmarrës të vegjël me një nivel jetese milionare. Sipërmarrës që kanë të punësuar në fabrikë as 10 punëtorë, por që shpenzon për të jetuar sikur të zotëronte fabrika me 2000 punëtorë, E vërteta është që këta njerëz merren me trafiqe ilegale, janë njerëz që merren me riciklim parash. Korrupsioni i lartë është një tjetër sinjal i fortë e intimisht i lidhur me mafien. Në vendet ku ka korrupsion të lartë, nëpuënësit e administratës publike mjaft lehtë mund të venë firma aty ku nuk duhet për 5 mijë o 10 mijë euro. Gjithashtu ka një rrënim të sjelljes etiko-morale, gjë që çon të jenë lehtësisht korruptiv. E pra njerëzit mafioz pa skrupuj, arrijnë të hynë në administratën publike, të fitojnë tendera, të blejnë aktivitete sipërmarrës duke dhënë para, pra duke korruptuar sistemin burokratik.

Gjatë këtyre dy viteve të fundit ka pasur disa hetime që kanë lidhur Shqipërinë me Italinë, dosje hetimore me në qendër bashkëpunimin mafioz me Ndrangheta. Çfarë ndodh me këto hetime e pse nuk ka një vazhdim të hetimeve të juaja dhe në Shqipëri, Është krijuar perceptimi se pas një hetimi të rëndësishëm gjithçka mbetet në ajër në Shqipëri: Pse e çfarë ndodh?

Nicola Gratteri: Unë ju them se problemi parësor në bashkëpunim mes vendeve është sistemi gjyqësorë mjaft i ndryshëm, i largët nga njëri nga tjetri. E mbi këtë fakt mafiet luajnë shumë në favor të tyre. Kjo rëndesë, kjo vështirësi për të ndërvepruar sistemet me njëri-tjetrin ndihmon elementët e grupet mafioze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat