Denoncoi vjedhjen e 40 mijë litrave naftë, Drejtori i burgut të Reçit u arrestua për 150 litra që furnizoi makinën private

Shqipëria

Denoncoi vjedhjen e 40 mijë litrave naftë, Drejtori i burgut të Reçit u arrestua për 150 litra që furnizoi makinën private

Më: 29 prill 2022 Në ora: 15:54
Foto ilustrim

Një dëm financiar që lidhet me mungesën e 40 mijë litra naftë në burgun e Reçit, është bërë shkak për nisjen e një dosje penale në prokurorinë e Shkodrës.

Kjo sasi nafte është konsumuar në rrethana të mistershme, pasi burgu i Reçit nuk ka kryer aq shumë shërbime, sa të konsumohej sasia prej 40 mijë litra naftë.

Dyshimet janë se karburanti është vjedhur dhe më pas shitur. Kallëzimi ishte depozituar nga drejtori i komanduar, Ervis Zika, i cili u arrestua nga policia tre ditë më parë, ndërsa personat e kallëzuar janë individë të tjerë të administratës dhe ish-drejtori i burgut të Rreçit.

Sipas dosjes hetimore, Zika është denoncuesi i kësaj afere, duke vënë në pikëpyetje pozicionin ligjor të ish-drejtorit dhe administratës së burgut të Reçit.

Por paralelisht me këtë çështje penale, prokuroria e Shkodrës hapi dhe një dosje të dytë, ku këtë herë objekt të hetimit kishte pikërisht Ervis Zikan, kallëzuesin e skandalit të mungesës së 40 mijë litra naftë.

Denoncimi për Ervis Zikan mësohet të jetë bërë nga një punonjës i Policisë së Burgjeve, i cili pretendon se Zika në cilësinë e Drejtorit ka urdhëruar shoferin e tij të marrë 150 litra naftë dhe ja t’ia hedhë në 3 raste makinës së tij private.

Ky fakt ka shërbyer për arrestimin e menjëhershëm të Drejtorit të komanduar Ervis Zika, që kishte vetëm 1 muaj e gjysëm në detyrë.

Një ditë pas emërimit të tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, urdhëroi komandimin e Drejtorit të ri të këtij burgu, Seit Vuçaj.

Ndërsa vetë Drejtori i arrestuar, Ervis Zika, pretendoi dhe këmbënguli në Gjykatën e Shkodrës se ai ishte personi kryesor që kishte denoncuar skandalin e vjedhjes së naftës në burgun e Reçit.

Zika pretendoi se kalimi i naftës në makinën e tij private ishte kryer për shkak se makina e institucionit ishte prishur dhe kishte nevojë për servis.

Për shkak të operativitetit dhe dinamikës së punës që ka burgu i Reçit, ai ka vendosur që lëvizjet ti bënte me makinën e tij private, duke furnizuar mjetin me 150 litra naftë të burgut.

Teksa është njohur me këtë situatë, përfaqësuesi i prokurorisë Shkodër i ka kërkuar gjykatës së qytetit caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat