Gjiknuri: Negociatat e PS-së për presidentin të sinqerta

Shqipëria

Gjiknuri: Negociatat e PS-së për presidentin të sinqerta

Më: 6 maj 2022 Në ora: 13:29
Damian Gjiknuri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, deklaroi sot se “presidenti i ri duhet të jetë një njeri që nuk ka axhendë politike”.

“Në momentin kur PS bën thirrje për t’u ulur në tavolinë dhe për të dialoguar, mendoj se negociata është e sinqertë. Dialogu shfaqet dhe me veprime konkrete dhe veprimi konkret është thirrja për tu ulur. Kemi kompromis për një axhendë të cilën palët e kanë arritur, pasi kemi një axhendë se si do të procedohet dhe dakordësinë që kemi dhënë për të diskutuar profilin dhe pse jo për të dëgjuar dhe ndonjë emër nga ata”, tha ai.

Ai theksoi se “veprimet e PS-së kanë qenë në funksion të sinqeritetit”.

“Në momentin që diskutojmë për profilin dhe jemi të hapur të dëgjojmë dhe emra, do të thotë që do të ketë pëlqyeshmërinë e të dyjave palëve. Nuk mund të paragjykojmë as emra nga opozita dhe as emra që vijnë nga mazhoranca. Pra, në momentin që ulemi dhe diskutojmë për një profil janë të gjitha mundësitë që të ngushtojmë dhe numrin e kandidatëve”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se në negociata ulesh pa paragjykime, por me disa parime.

“Parimet janë: Të gjejmë një profil të asaj që kemi thënë, pra pa interesa të çastit politik, pa plane politike, që të mos e kontaminojë zyrën e presidentit me axhendat e tij politike, siç ishte rasti i Ilir Metës, që vërtet u zgjodh se ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por në momentin që vajti president dhe si u zhvillua dinamika e ngjarjeve në vend, u duk qartë se ai kishte plane për periudhën pas zyre. Dhe gjatë 5 viteve në zyrë punoi si të imponohej si një figurë e lidershipit të ardhshëm opozitar, që mesa duket po evidentohet çdo ditë, në këtë pikëpamje”, tha ai.

Ndaj, Gjiknuri theksoi rëndësinë e gjetjes së një profili të këtyre kontureve, pa ambicie të mëtejshme politike.

“Në momentin që zhvishesh nga interesa politike të së ardhmes, je në kushte shumë të mira për ta bërë atë detyrë. Historia këtë e ka treguar, siç ishte rasti i presidentit Moisiu”, deklaroi Gjiknuri.

Ai komentoi dhe propozimet e disa zërave nga opozita për përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë proces.

“Absurditet ky propozim, një praktikë që nuk është përdorur ndonjëherë dhe nuk është me vend që palët që komunikojnë shqip-shqip për të zgjedhur një shqiptar në krye të vendit, do të donin një përfaqësues të diplomacisë së huaj në një tavolinë për një çëshjte që nuk afekton marrëdhëniet me partnerë apo probleme që mund të jenë në fokus të stabilitetit. Për mua është propozim i pavend”, tha ai.

Ndërkohë Gjiknuri shtoi se “negociatat me ultimatum nuk kanë funksionuar për PS edhe në situata më të rënda, apo që vihej në pikëpyetje stabiliteti i vendit, siç ishte bojkoti parlamentar”.

“Ultimatumi është një metodë, diplomaci megafoni që nuk e njohim. Në parlament janë disa grupe parlamentare të regjistruara, që iu është bërë thirrje për dialog për të përcaktuar një profil. Ne do i shohim me seriozitet propozimet e opozitës. Ultimatumi është metodë e stërprovuar që nuk ka dhënë rezultat. Presidenti nuk zgjidhet me ultimatum, por me konsensus. Kushtetuta i ka dhënë zgjidhje, duke shmangur krizën”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat