Zbulohet vila luksoze 1 milion paund në Londër ku ka regjistruar biznesin Drejtori i Tatimeve Ceno Klosi, nuk e deklaroi në ILDKPKI

Shqipëria

Zbulohet vila luksoze 1 milion paund në Londër ku ka regjistruar biznesin Drejtori i Tatimeve Ceno Klosi, nuk e deklaroi në ILDKPKI

Më: 26 maj 2022 Në ora: 17:15
Villa luksoze

Situata me pasuritë e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, është mjaft e komplikuar. News24 ka zbuluar se adresa e biznesit që vetë Ceno Klosi ka deklaruar se disponon në Angli, është një vilë luksoze në një zonë rezidenciale mjaft të shtrenjtë.

Kështu, shoqëria “First bar limited”, me adresë numër 29 në Blackwood Close, West Byfleet, ku Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është aksioner me 33%, është një vilë me pishinë, kopsht, 4 dhoma gjumi, tre dhoma ndenjeje, tre banjo, garazh dhe mjedise të tjera. Çmimi i vilës në 2001 ka qenë 435,000 paund, në 2010 ka arritur në 775,000 paund dhe sot kushton mbi 1 milion paund.

Ky çmim është listuar nga agjencitë imobiliare angleze, dhe duke shfletuar në internet fotot e vilës, ku Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi, ka regjistruar biznesin në Angli, kupton se ajo është një pronë luksi në çdo këndvështrim, dhe ndodhet në një zonë ekskluzive, ku nuk mund të jetojë kushdo.

Image

Por, Ceno Klosi nuk ka dhënë asnjë informacion në deklaratën e tij të pasurisë për këtë fakt, duke mbajtur të fshehur informacionin për biznesin e tij britanik.

Problemet me deklarimin e Ceno Klosit janë të mëdha, pasi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve rezulton ka dhënë 140 mijë paund me fajde, të cilat i justifikon me kursimet familjare. Po ashtu, rezulton se Klosi ka në llogari bankare mbi 48 mijë paund të tjerë, të siguruara siç argumenton, nga kursimet familjare.

Listës i shtohen dhe dy llogari bankare prej gati 30 mijë eurosh po nga kursimet familjare, tre apartamente në kryeqytet me vlerë 550 mijë euro, 100 mijë euro të tjera llogari bankare e bashkëshortja, që ashtu si i shoqi, ka arritur t’i kursejë.

Image
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat