Legalizimi i kanabisit në Shqipëri/ Kriteret dhe kufizimet për kultivuesit! Licenca për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi

Shqipëria

Legalizimi i kanabisit në Shqipëri/ Kriteret dhe kufizimet për kultivuesit! Licenca për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Qeveria ka gati projekt-ligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore e industriale.

Për ushtrimin e këtij aktivitetit do të licencohen subjekte të caktuara, të cilat do të jenë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit. Ndërkohë, subjektet që pajisen me lejen e kultivimit janë persona që ushtrojnë aktivitet si persona juridikë, persona fizikë ose si fermerë. Licenca për ushtrim të aktivitetit të kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi.

Përfituesi i licencës ose një aksioner i tij, duhet të zotërojë 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së, zotërues i praktikës së mirë të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat dhe të kenë një kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë. Licenca i jepet vetëm subjektit që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj, si dhe vetëm për sipërfaqen e përcaktuar në plan zhvillimin e saj, pa përcaktuar vendndodhjen e këtyre sipërfaqeve.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar. Po kështu, në ligj thuhet se licenca jepet vetëm në sipërfaqe të mbuluara ose serë apo sipërfaqe të hapura, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Drafti parashikon se licenca shfuqizohet, nëse subjekti nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej dymbëdhjetë muajsh. Në nenin 40 të këtij projektligji parashikohen dhe dënimet administrative në rast se shkelja e kultivuesit/përpunuesi i kanabisit nuk përbën vepër penale. Kështu në nenin 40 renditen kundërvajtjet dhe gjobat deri në 5 milionë lekë deri te masa ndalim i kryerjes së veprimtarisë.

PJESË NGA PROJEKTLIGJI PËR KULTIVIMIN E KANABISIT MJEKËSOR

Kushtet për pajisjen me licencë Çdo personi juridik që aplikon për licencë duhet të përmbushë, paraprakisht, kushtet e mëposhtme:

1. Të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore;

2. Ai vetë ose një aksioner i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë: – Ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së. – Zotërues i GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat). – Të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Personi juridik që konkurron për licencë të aktivitetit për qëllime mjekësore, duhet:

1. të paraqesë planin e zhvillimit të biznesit, duke identifikuar modelin e kultivimit dhe qëllimin e kultivimit si dhe sipërfaqen minimale dhe maksimale të njësisë së zhvillimit.

2. të paraqesë planin e përpunimit të mjediseve për tharjen, prerjen dhe magazinimin, të pajisura në përputhje me kapacitetin prodhues, të parashikuara paraprakisht në planin e zhvillimit të prodhimit.

3. të paraqesë planin e sigurisë për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim duke përcaktuar elementët e mbrojtjes, rrethimit, sigurinë me telekamera dhe sigurimi fizik për 24 orë, elementët pengues përpara hyrjes dhe tel me gjemba mbi gardhin, sipas parashikimeve të standardeve të Vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.

4. Vetëdeklarim për punësimin për të paktën pesëmbëdhjetë persona, dy prej të cilëve të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agro-inxhinierisë me përvojë pune jo më pak se tre vjet në fushën përkatëse.

5. Vetëdeklarim për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim ndaj shoqërisë private të sigurisë fizike që mbikëqyr mjediset e kultivimit të bimës së kanabisit dhe nënprodukteve te saj si dhe lëvizjes se automjeteve te dedikuara të qarkullimit të lëndëve të para dhe produkteve, sipas rregullave dhe tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

6. Vetëdeklarim se do të fillojë ushtrimin e veprimtarive të përshkruara në licencën e brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e licencës së aktivitetit.

7. Vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se kundërvlefta në monedhën kombëtare Lek e shumës jo më pak se 10,000,000 (dhjetë milionë) Lekë.

DOKUMENTACIONI DHE PARAQITJA E KËRKESËS

Personi juridik që aplikon për licencë paraqet pranë Agjencisë kërkesën për aplikim dhe dokumentacionin si vijon:

1. Dokumenti i regjistrimit të biznesit, origjinal ose kopje të noterizuar, të lëshuara brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës;

2. Dokumente për të provuar ortakët/aksionerët e shoqërisë dhe pronarët e fundit përfitues të subjektit (nëse aplikimi paraqitet nga personi juridik paraqitet dhe aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë);

3. Të dhëna për organet drejtuese të aplikantit dhe përfaqësuesit ligjorë, personat e autorizuar për të ndjekur procedurën

4. Dokumente ku të vërtetohet se subjekti aplikant është me status aktiv;

5. Vërtetimet e mëposhtme të lëshuara nga organet kompetente, për subjektin si:

6. Certifikatën e sigurisë së subjektit, të lëshuar nga DSIK, për shtetasit shqiptarë dhe për shtetasit e huaj certifikatë analoge e lëshuar nga autoritet e vendit ku ata janë rezidentë;

7. Subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët/aksionerët, nuk janë në ndjekje penale;

8. Subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët/aksionerët, nuk janë në gjykim për ndonjë vepër penale;

9. Subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët/aksionerët, nuk është i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;

10. Subjekti nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera;

11. Subjekti aplikues ose subjektet ortake/aksionere të subjektit aplikues nuk janë në procedurë falimentimi.

12. Të dhëna financiare për kryerjen e biznesit të ortakëve/ aksionerëve të aplikantit për 3 vitet e fundit përpara paraqitjes së kërkesës;

13. Dokumentin që vërteton se kapitali i shoqërisë është jo më i vogël se 100.000.000 (njëqind milionë) Lek;

14. Dokumentin, ku të shënohet se ka një përvojë në këtë veprimtari jo më pak se 3 vjet, të dhënë nga organi përkatës i vendit, ku aplikanti ka selinë qendrore;

15. Deklaratën për burimin e kapitalit, që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë;

16. Vërtetimin nga organet tatimore për shlyerjen e detyrimeve tatimore, si nga shoqëria që aplikon, ashtu edhe nga çdo subjekt juridik, në rast bashkimi shoqërish;

17. Vërtetimin se ka personel të kualifikuar në ushtrimin e veprimtarisë sipas kërkesave të këtij ligji të vërtetuara me dokumentacionin përkatës;

18. Rregulloren përkatëse për rregullat dhe mënyrën e funksionimit të aktivitetit të cilën kërkon të licencohet;

19. Vetëdeklarimin për lidhjen e marrëveshjes paraprake për ruajtjen dhe sigurinë fizike sipas dispozitave të këtij ligji;

20. Vetëdeklarim se do të paguajë garancinë bankare sipas përcaktimeve të këtij ligji. Subjekti dorëzon një kopje të noterizuar të këtij dokumentacioni që shoqëron kërkesën për aplikim për licencë.

Komisioni i Licencave shpall listën e pjesëmarrësve në konkurrim, duke renditur, sipas pikëve të marra, aplikantët të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret, sipas këtij ligji. Kandidati, i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve, shpallet fitues. Me përfundimin e afatit për paraqitjen e ankesave dhe shqyrtimit të tyre, Agjencia miraton dhënien e licencës, pasi aplikanti i shpallur fitues të ketë paraqitur, brenda 30 ditëve, plotësimin e kriterit të lidhur me fondin e garancisë.

Kufizimi, jo më shumë se 150 hektarë

Në ligj është vendosur një kufizim sa i takon sipërfaqes maksimale të tokës që mund të kultivohet me kanabis. Konkretisht, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Ky kufizim pritet të ndezë një luftë të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë.

Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë. Praktikisht, asnjë kompani shqiptare nuk i plotëson kushtet, pasi kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit.

KUFIZIMET DHE PAGESA

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar. Licenca jepet vetëm në sipërfaqe të mbuluara ose serë apo sipërfaqe të hapura.

Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Kërkuesi për aplikimin e licencës, paguan, në momentin e aplikimit një tarifë, e cila është e pakthyeshme.

Vlera dhe përdorimi i saj përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe të ministrit përgjegjës të financave, me propozim të Agjencisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat