E dhunuar nga burri ‘i verbuar’ nga xhelozia! Drama e gruas nga Korça, detyrohej të rrëfehej para kamerave dhe të betohej në kishë

Shqipëria

E dhunuar nga burri ‘i verbuar’ nga xhelozia! Drama e gruas nga Korça, detyrohej të rrëfehej para kamerave dhe të betohej në kishë

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë shqyrtoi një rast dhune ekstreme dhe disa vjeçare mes një çifti nga qyteti i Korçës, duke urdhëruar Gjykatën e Apelit që ta rigjykojë çështjen pasi gjeti të pavend pushimin e akuzave ndaj bashkëshortit xheloz. 

Hetimi tregon torturimin e një gruaje që detyrohej përditë përpara një kamere të pranonte tradhtitë dhe më pas t’i nënshtrohej procesit të pendesës. Dhuna fizike dhe emocionale shkoi deri në atë pikë, sa burri e detyronte të shoqen që udhëtonte së bashku me të në Greqi enkas për të kërkuar falje në kishë.

“Ai më ka detyruar të shkruaja letra që i quante ‘Betime para Zotit’, në të cilat unë duhet të pranoja dhe të betohesha para tij se po rrëfehesha për meshkujt me të cilët ishte i bindur se e kisha tradhtuar. Megjithëse nuk ishte e vërtetë, rrëfehesha dhe kërkoja falje përpara thikës që më vendoste në fytyrë”.

Situata disa vjeçare e çoi gruan në gjendje të rëndë ankthi dhe frike për të jetuar, derisa u bind se po izolohej tërësisht për të shmangur çdo burrë te të cilët i shoqi bëhej menjëherë xheloz.

“Ai më detyronte që këto betime përpara Zotit t’i lexoja në shtëpi , por më çonte t’i lexoja edhe nëpër kisha të ndryshme në Greqi”, thotë gruaja që kujton se u detyrua të pranonte ngjarje te pavërteta lidhjesh jashtë martesore pasi bashkëshorti e kërcënonte.

Duke ia pranuar pendesën, bashkëshorti i dhunshëm e paralajmëronte se në rast se nuk firmoste betimet, familja e vajzërisë do mallkohej me zhdukje.

Sipas dosjes që iu tregua Top Channel, gjykata thirri për të vërtetuar këtë dhunë disa vjeçare djalin e çiftit, i cili pranoi se babai i tij kalonte në gjendje depresive tre deri në katër herë në vit dhe se bëhej xheloz për meshkuj të ndryshëm të panjohur, për të cilën akuzonte të ëmën.

Por pastaj qetësohej dhe kërkonte ndjesë, por nuk zgjaste shumë dhe kthehej në të njëjtën gjendje xhelozie të çmendur thotë i biri në dosje. Gruaja jetoi për vite me radhë me pasaportë të bllokuar dhe me lëvizje të kontrolluar por edhe me letra që lexoheshin përditë me zë të lartë ku ajo betohej për devotshmëri dhe lutej për falje.

Dhuna në familje e përsëritur i ka shtyrë gjykatat që tanimë të mbajnë një qëndrim tjetër, atë të nxjerrjes nga banesa të bashkëshortëve, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë mbi 500 metra larg viktimës dhe fëmijëve. Por me gjithë ashpërsimin e ligjeve, fenomeni mbetet i njëjtë./

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat