Adoleshenti sakrifikoi jetën duke shpëtuar vëllain dhe shokun e tij nga mbytja, flet roja bregdetare: Tentuam ta shpëtonim, por…

Shqipëria

Adoleshenti sakrifikoi jetën duke shpëtuar vëllain dhe shokun e tij nga mbytja, flet roja bregdetare: Tentuam ta shpëtonim, por…

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 19:35
Anri Kashiku

Një ngjarje e rëndë u shënua një ditë më parë në plazhin e Durrësit, ku 18-vjeçari Anri Kashiku humbi jetën pasi shpëtoi vëllain dhe shokun e tij nga mbytja në det.

Lidhur me këtë ngjarje, ka folur edhe roja bregdetare, Igli Shahinaj i cili punon prej dy vitesh në këtë zonë.

Në një prononcim për News24, ai tha se pavarësisht se ishte vendosur flamuri që sinjalizonte pushuesit të mos futeshin në det, dy të miturit kishin hyrë pa lejen e familjarëve të tyre.

Shahinaj tregon se hyri në det së bashku me Anrin dhe një punëtor të zonës, por kur po nxirrnin adoleshentët në breg, 18-vjeçari mbeti mbrapa dhe nuk mundën ta shpëtonin.

“Deti ishte me dallgë të mëdha dhe pamë dy persona që kishin hyrë në det pa lejen e familjarëve. Ngaqë kishim flamurin që nuk lejohej të futeshe në det vrapuam për të ndihmuar dy të miturit që nuk i dëgjonin thirrjet. Bashkë me mua erdhi vëllai i tij dhe një punëtor i zonës. Vrapuam të nxirrnim me shpejtësi dy të miturit, por personi i tretë që ishte me ne mbeti prapa. Kur kthyem kokën pamë vetëm kapelen. Nxituam të afroheshim, por gjithçka ishte e kotë, sepse vetëm kapelja ishte aty dhe nuk mundëm ta ndihmonim dot”, – thotë ai.

Sipas policisë, “roja bregdetare, shtetasi I. Sh., e kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i lartë”. Ndërkohë 18-vjeçarit Anri Kashiku përcillet pasditen e sotme për në banesën e fundit. Vdekja e tij tragjike tronditi të gjithë komunitetin e zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat