“Ministrja i la mjekët pa masa mbrojtëse gjatë COVID-it”/ Berisha: Zhvillonte tendera sekret gjatë pandemisë!

Shqipëria

“Ministrja i la mjekët pa masa mbrojtëse gjatë COVID-it”/ Berisha: Zhvillonte tendera sekret gjatë pandemisë!

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 18:32
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur në sistemin shëndetësor në Shqipëri, për të cilën shprehet se po shkon drejt zhdukjes e kjo për shkak të keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një takimi me qytetarët në Gramsh, Berisha ka akuzuar Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se në periudhën e pandemisë la pa masa mbrojtëse mjekët, ndërsa në anën tjetër zhvillonte tendera sekret.

Berisha u shpreh se Manastirliu i vendos sërish në postin e ministres, pasi sipas tij, paratë e tenderave i ndan me kreun e qeverisë.

Berisha: Problemet që ngritët janë themelore të Gramshit dhe Shqipërisë. Doktoresha e cila sipas meje është një misionare e vërtetë, por dhe në faktin që qëndron dhe u shërben disa qendrave, është heroike. Me këtë qëndrim që mban qeveria ndaj mjekëve, mund të iknin të gjithë. Ku është katandisur sot mjekësia, e tregoi koronavirusi. Ne shqiptarët patëm, u futëm në grupin e 3-4 vendeve me vdekshmërinë më të lartë në botë.

Si shpërblim, si akt për të thënë që mirë jua bëri, ajo e cila i linte mjekët e infermierët pa maska e doreza dhe zhvillonte tendera. Ajo riemërohet ministre përsëri sepse ndan paratë me kryeministrin. E vërteta është që sado që njerëzit e kanë të vështirë ta perceptojnë, por së fundmi një tregues i një institucioni vlerësimesh, e nxjerr Tiranën në 10 qytetet me mjekësinë më të shkatërruar në botë.

Tirana renditej e 245-a. Në një klasifikim që kishte 255 qytete e kryeqytete të mëdha. Ja doktoresha u shërben 3 qendrave me 7 mijë banorë. Ndërsa standardi europian është 1 mjek për 300-400 banorë. Unë dua t’u them mjekëve dhe infermierëve se koha është për greva dhe protesta të fuqishme në sistemin shëndetësor. Po shkon drejt zhdukjes nga një njeri që nuk ka asnjë sens për qeverisjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat