Kundërshtimi i opozitës për Portin e Durrësit, Ngjela: Ata nuk i pyet kush, edhe SHBA është në lojë

Shqipëria

Kundërshtimi i opozitës për Portin e Durrësit, Ngjela: Ata nuk i pyet kush, edhe SHBA është në lojë

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 09:34
Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar si “zë në shkretëtirë” kundërshtimin e opozitës për ndërtimin e Portit të Durrësit. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, avokati theksoi se opozita nuk pyetet në këtë rast sepse është çështje ligjore.

“Kush i pyet ata, ajo është çështje ligjore. Kush ka shumicën në Parlament e bën, çfarë do bëjnë këta? E para kjo, e dyta është një vlerë shumë e madhe për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Po ashtu, Ngjela theksoi se, sipas tij, është injorancë të kërkosh konkurrencë në një projekt kaq të madh. Për më tepër, Ngjela theksoi se porti është pjesë ekskluzive e parlamentit shqiptar. Madje ai është i mendimit se me portin do të vijë dhe një zhvillim i madh i Shqipërisë.

“Është një fat për Shqipërinë, do të ketë impakt shumë të madh në GDP-në e Shqipërisë dhe menjëherë pas kësaj do shikoni që do ketë rritje rrogash e veprime. Është gjë shumë e madhe, duhet të realizohet patjetër”, u shpreh ai. 

Më tej Ngjela theksoi se Porti i Durrësit është një lëvizje e madhe detare që nuk mund të realizohet pa dijeninë e Uashingtonit.

“Si mund të bëhet një lëvizje kaq e madhe detare dhe të mos jetë në dijeni Uashingtoni. Doni të talleni me mua ju?! Të venë këta t’i luten Uashingtonit, po Saliu s’vete dot se është “non grata””, nënvizoi Ngjela.

Ndërkohë i pyetur nëse opozita nuk do të kishte fuqi ta ndalonte këtë projekt, Ngjela u përgjigj “Ku ka fuqi Moska në Tiranë?”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat