Droga në Fier/ Zbardhen detaje të reja nga hetimi, Viktor Çervenaku del në përgjime duke reklamuar “plehun e mirë nga Kolumbia”! Si tentuan t’i grabisnin mallin persona të paidentifikuar

Shqipëria

Droga në Fier/ Zbardhen detaje të reja nga hetimi, Viktor Çervenaku del në përgjime duke reklamuar “plehun e mirë nga Kolumbia”! Si tentuan t’i grabisnin mallin persona të paidentifikuar

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 20:36
Droga në Fier

Detaje të reja mësohen nga hetimet e deritanishme të SPAK për rrjetin e trafikantëve që sollën nga Kolumbia në Shqipëri ngarkesën prej 430 kg kokainë, të tretur në tonelatat me pleh kimik. 10 persona janë vënë në pranga, ndërsa “eksperti” kolumbian është larguar.

Top Channel mëson se në muajin nëntor, persona të paidentifikuar tentuan të sulmojnë banesën që do të përshtatej si laborator me vetëm një qëllim, të grabisnin mallin.

Nga përgjimet, rezulton se dikush kishte dëmtuar bravën e portës dhe se si reagim familja Çervanaku u përgjigj duke qëlluar në ajër me armë, një mënyrë për t’i njoftuar të panjohurit se ishin të armatosur. Sakaq, ka dyshime se bota e krimit në qytetin e Fierit ishte informuar për ngarkesën dhe se anëtarët kishin nisur diskutimet për tregun e jashtëm, përpara se të niste procesi i nxjerrjes së kokainës.

Viktor Çervanaku, ish-kryetar komune, mësohet nga përgjimet se po përgatitej për zgjedhjet lokale. Dhe ndërkohë, ai takoi eksponentë të njohur duke u thënë se kishte ardhur pleh i mirë nga Kolumbia.

Por, nga muaji shtator kur ngarkesa mbërriti nga Mali i Zi, thasët me pleh u mbajtën në oborr pasi eksperti kolumbian mbërriti në Shqipëri në muajin nëntor dhe vonesa e tij u bë shkak që puna të dështonte.

Por, si u llogarit ngarkesa prej 430 kilogramë kur nuk kishte nisur ende ndarja nga plehu? Agjencitë e huaja që po ndiqnin udhëtimin e ngarkesës llogaritën në thasë përqindjen e drogës dhe me anë të kësaj formule u dol në përfundimin që aty gjendeshin 430 kg kokainë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat