I zhdukur 6 muaj më parë, asnjë gjurmë për Ulvi Skanën! Flet e ëma: Nuk e di a është gjallë!

Shqipëria

I zhdukur 6 muaj më parë, asnjë gjurmë për Ulvi Skanën! Flet e ëma: Nuk e di a është gjallë!

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 21:20
Foto ilustrim

Kanë kaluar 6 muaj nga zhdukja e mistershme e 29-vjeçarit Ulvi Skana, ndërsa familje nuk ka asnjë informacion për të. Nëna e të riut, i ka humbur shpresat se ai mund të jetë gjallë. Ajo thotë se fakti që nuk ka asnjë gjurmë të re nga djali, e bën të mendojë se ai është vrarë.

Ajo shprehet se djali i saj nuk është kriminal dhe nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale, ndërsa kërkon nga policia që t’i japin ndonjë informacion, për “të qetësuar shpirtin”, shprehet Thëllënza.

Gruaja mohon se djali i saj të ketë pasur lidhje me Ervis Martinajn, një tjetër i zhdukur që nuk dihet fati i tij.

Ajo pranon njohjen e djalit të saj me Can Karriqin, i cili u ekzekutua rreth një viti më parë, pasi me të kanë kanë qenë fqinjë.

“Si ka mundësi që të humbasë në atë farë feje. Djali nuk ka pas lidhje me grupet kriminale, jam 100% e sigurt, na e kanë njollosur edhe emrin, ai nuk është vrasës, vjedhë jo.

Ai kishte 3 ditë pasi kishte ardhur nga Belgjika. Prishi disa lekë që ia kishte dhënë vëllai i vet, dhe rrinte si i urtë. Ndenji nja 12 ditë në Belgjikë, nuk gjeti punë dhe erdhi. Ka qenë dhe në Gjermani, kishte marrë ekspuls, por ne ia hoqëm. Shkoi te një shok që i kishte marrë disa lekë borxh, nuk e dimë se cili ka qenë ky shok.

Can Karriqi e kemi pasur në lagje. Vëllai i vogël i bërtiste shumë, ishte i miri i shoqërisë dhe i keqi i shtëpisë. Nuk punonte, nuk ka pas lekë. Nuk më ka sjellë asnjë problem te shtëpia. Oh sa e vuaj humbjen e tij. Unë si nënë flas kot, se nuk e di a e kam gjallë, përderisa nuk më jepet asnjë pistë. Mund të ketë bërë edhe ndonjë gjë, nuk e di. Policia na thotë vetëm bëjmë hetimet tona, po më jepni dhe mua një të dhënë që të më qetësohet shpirti. Ja gjallë ja vdekur, e kam të pafajshëm. Thonë që ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, po unë nuk e kam parë. S’e njeh fare Ervis Martinin. Ik mos ma përmend, edhe kur u vra dikush në Laprakë, ai ka qenë në gjumë, me Can Karriqin, e kemi pasur fqinj”, tregon e ëma në emisionin “Pa Gjurmë”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat