Shtëpia e barit në Shijak, lihet në burg 46-vjeçari: Armët i kisha të fshehura që nga 1997

Shqipëria

Shtëpia e barit në Shijak, lihet në burg 46-vjeçari: Armët i kisha të fshehura që nga 1997

Më: 26 janar 2023 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Gjykata e Durrësit vendosi masën shtrënguese “arrest me burg” për të arrestuarin e ‘shtëpisë së barit’ në Shijak.

46-vjeçari Fredi Krasniqi u la në qeli nga gjyqtarja e seancës Shpëtime Pitaku, ndërsa i vëllai vazhdon të jetë person në kërkim.

Para gjykatës, ai ka deklaruar se nuk është pjesë e ndonjë grupi kriminal, por e kishte kultivuar kanabisin në kërkim të fitimit të shpejtë. Në lidhje me armët ka deklaruar se ato i ka pasur të fshehura që nga viti 1997.

Avokati i Krasniqit është përpjekur të shfajësojë përfshirjen e të vëllait të të arrestuarit, Selman Krasniqit i cili ndodhet në Itali, ndërsa ashtu si klienti i tij mohoi që ai të jetë pjesë e ndonjë grupi kriminal në zonën e Shijakut.

“Siç kemi dëshmuar edhe më parë, këto armë janë të harruara në bodrumin e banesës, siç ka rezultuar edhe nga kontrolli pasi ishin mbuluar nga pluhuri. Janë harruar në banesë që nga viti 1997 dhe ishin në pritje të amnistive që njerëzit që kanë armë t’i dorëzojnë.  Nuk janë përdorur nga grupet kriminale, realiteti është ky që themi ne. Dhe për përfshirjen e të vëllait nuk është e vërtetë”- tha para gazetarëve avokati mbrojtës i Krasniqit.

Në banesën 4-katëshe në Sallmone të Shijakut u gjetën 444 bimë narkotike dhe 222 llamba elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre. Ndërsa në një ambient me mur të dyfishtë brenda shtëpisë u gjet arsenal armësh, e cila dyshohet se ishte në funksion të një grupi kriminal.

Arsenali kishte 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia gjurmoi shtëpinë e barit nga informacionet në rrugë operative dhe në inteligjencën informative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat